Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për situatën e krijuar pranë godinës së Kryeministrisë, ku pedagogë dhe studentë po protestojnë duke kërkuar ndryshime.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka komentuar qëndrimin e protestuesve, duke theksuar se është i gatshëm të ulet në dialog së bashku me qeverinë.

Sipas tij, deri më tani, kërkesat e shprehura nga protestuesit përfshijnë dorëheqjen, thirrjet kundër diktaturës dhe komunizmit, ndërsa refuzojnë mundësinë e dialogut.

“Tani, kush do dialog, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë”, shkruan Rama, duke cituar më pas thirrjet e dëgjuara nga protesta: “Dorëheqje! Poshtë diktatura! Poshtë komunizmi! S’duam dialog!”.

Reagimi i kryeministrit vjen në një kohë kur tensionet pranë Kryeministrisë vijojnë, ndërsa palët mbeten larg një dakordësie për dialog.