A duhet t’i trembemi menopauzës? Gjinekologia zbulon çfarë ndodh me gratë pas të 50-ave, ja shqetësimet kryesore

A duhet t’i trembemi menopauzës? Çfarë ndodh pas të 50-ave? Ishte kjo një nga temat e trajtuara këtë të martë në studion e emisionit “Takohemi n’Vizion”, nën moderimin e Fjodora Fjorës.
E ftuar në studio, gjinekologia Elinda Gjata tha se gratë janë më të ndërgjegjësuara dhe kërkojnë më shumë informacion për simptomat, mënyrat e trajtimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës gjatë kësaj faze, krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas gjinekologes, menopauza përcaktohet pas 12 muajsh pa cikël menstrual, ndërsa faza para saj quhet perimenopauzë.
“Menopauza nuk ka ndryshuar. Ka ndryshuar qasja jonë ndaj saj. Menopauza apo shqetësimet kanë zënë një pjesë minore të vizitave. Vitet e fundit shohim një ndërgjegjësim më të lartë. Gratë kërkojnë të shohin nëse simptomat që ato kanë janë shqetësuese, duan të marrin masa dhe duan të dinë mënyrat për të mos vuajtur shumë. Nënat tona nuk e kanë bërë kurrë këtë, sepse kanë qenë në mbijetesë. Jo se nuk kanë vuajtur, por thjesht nuk e kanë thënë. Faza para menopauzës, perimenopauza, përkon me pakësimin e vezëve dhe çrregullimin e hormoneve. Zgjat 1-8 vite. Kohët e fundit, edhe deri në 10 vite. Ne themi se ke kaluar në menopauzë pasi ke 12 muaj pa cikël menstrual”, tha gjinekologia Elinda Gjata.
Elinda Gjata nënvizon se gratë duhet të kujdesen për trupin e tyre, si të nisin aktivitetin fizik, të modifikojnë ushqyerjen dhe të përdorin suplemente të rekomanduara gjithmonë nga mjeku.
“Menopauza nuk shtyhet, është e përcaktuar që kur kemi qenë në barkun e nënës. Disa lindin me një numër të konsiderueshëm vezësh, por çdo muaj harxhojnë një numër më të lartë vezësh. Për fat të keq, kemi edhe një mbarim të vezëve në mosha të reja. Menopauza është e vështirë edhe për gratë, sepse brenda ditës shohin shumë informacione. Duhet ndërgjegjësimi për fazat që ndodhin në paketën e përgjithshme hormonale, të nisim aktivitetin fizik, modifikojmë ushqyerjen dhe përshtatim edhe suplementet e rekomanduara gjithmonë nga mjeku”, tha më tej gjinekologia.
Ajo thekson se afshet e nxehta, pagjumësia, ndryshimet e humorit dhe shqetësimet intime janë ndër problemet më të shpeshta, ndërsa nënvizon rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore.
“Shqetësimet kryesore për të cilat gratë ankohen janë afshet e nxehta, çrregullimi i gjumit, pagjumësia, mërziten për një fjalë, qajnë kot pa arsye, elemente depresioni, çrregullime vaginale që lidhen me seksualitetin dhe çrregullime me vetëbesimin. Jo se më parë gratë nuk kanë ardhur te mjekët, por vetëm për probleme shqetësuese, jo për shqetësime të lehta. Sot pata një paciente që kishte një problematikë madhore. I thashë: “Kur e ke bërë kontrollin e fundit?” Tha se kishte bërë vetëm një kontroll pas lindjes së djalit. Të gjitha do të kemi çrregullime, kush më shumë e kush më pak”, u shpreh gjinekologia Elinda Gjata.
/vizionplus.tv




