Sekretari amerikan i Mbrojtjes viziton Izraelin, diskuton me Netanyahun për Iranin dhe kërcënimet në rajon

Botë | 2 minuta më parë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka diskutuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për Iranin gjatë një vizite që ka zhvilluar në Izrael, ku mediat ndërkombëtare i referohen tre zyrtarëve izraelitë, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit po rriten.

Doron Spielman, zëdhënës i kryeministrit, konfirmoi më vonë për Reuters se Netanyahu u takua me Hegseth në bazën ajrore Uvda, në rajonin jugor të Negevut.

Sipas tij, Netanyahu dhe Hegseth diskutuan “kërcënimet në rajon” dhe partneritetin SHBA-Izrael për t’i përballuar ato si në mënyrë ofensive ashtu edhe mbrojtëse. Hegseth falënderoi Izraelin për pritjen e forcave amerikane, të cilat Spielman tha se numërojnë në mijëra, dhe u diskutua edhe mbështetja e presidentit Donald Trump për kryeministrin.

“Ka një marrëdhënie të thellë personale që ishte në qendër të këtij diskutimi,” tha Spielman në një telefonatë të shkurtër.

Të dielën, Trump mbështeti publikisht Netanyahun në zgjedhjet parlamentare të javës së ardhshme në Izrael, votimet e para që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj jugut të vendit.

Pentagoni nuk ka komentuar publikisht vizitën e Hegseth. Më herët, Hegseth postoi në X se kishte vizituar ushtarët amerikanë në zonën e përgjegjësisë së Komandës Qendrore (CENTCOM), që mbulon Lindjen e Mesme, Afrikën verilindore dhe pjesë të Azisë, pa specifikuar vendndodhjen.

Vizita vjen në një kohë tensioni mes SHBA-së dhe Iranit për ngushticën e Hormuzit, ndërsa huthitë e aleancës me Iranin në Jemen intensifikojnë sulmet ndaj Arabisë Saudite.

Forcat amerikane dhe izraelite kryen sulme të përbashkëta kundër Iranit në fund të shkurtit, çka shkaktoi luftën më të gjerë në Lindjen e Mesme. Netanyahu i tha mediave izraelite këtë muaj se nuk kërkon të sulmojë Iranin para zgjedhjeve të 27 tetorit. Trump ka deklaruar se nuk do të sulmojë Iranin para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA në nëntor.

Izraeli ka pritur forca shtesë amerikane, përfshirë avionë ushtarakë, të paktën që nga shkurti, si pjesë e luftës me Iranin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme