Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve që protestojnë të ulen në dialog me qeverinë, duke deklaruar se është i gatshëm të bisedojë me të gjithë ata që e dëshirojnë një zgjidhje përmes komunikimit.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Rama u shpreh se ishte në dispozicion, së bashku me qeverinë, për të zhvilluar bisedime me protestuesit. Në shenjë të kësaj ftese, jashtë godinës së Kryeministrisë u vendosën disa karrige.
Por iniciativa u refuzua nga studentët dhe pedagogët e mbledhur në protestë. Ata hodhën karriget dhe vijuan thirrjet kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe kundërshtuar hapur mundësinë e dialogut.
“Për dialog, unë jam në dispozicion, bashkë me qeverinë”, deklaroi Rama në videon e publikuar.
Nga ana tjetër, protestuesit iu përgjigjën me thirrjet “Dorëheqje!”, “Poshtë diktatura!”, “Poshtë komunizmi!” dhe “Nuk duam dialog!”.
Duke komentuar reagimin e tyre, kreu i qeverisë tha: “Deri tani, këto janë idetë e pedagogëve, dhe të intelektualëve, që janë mbledhur këtu poshtë”.
Krahas videos, Rama publikoi edhe pyetjen: “Dialog. Po me kë?”.
Pavarësisht ftesës së kryeministrit, studentët dhe pedagogët vijuan protestën para Kryeministrisë, duke refuzuar ofertën për bisedime me qeverinë.


