Protesta në Tiranë ka hyrë në një tjetër moment tensioni, me protestuesit që janë grumbulluar sërish në sheshin “Skënderbej”, pas lëvizjeve në disa zona të kryeqytetit dhe ndjekjes nga forcat e Policisë.
Më herët, turma u zhvendos nga Unaza e Vogël drejt sheshit “Avni Rustemi”, ku efektivët iu vunë pas protestuesve. Tashmë, përplasjet kanë vijuar në qendër të Tiranës, ku po hidhen kapsolla dhe policia po kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës.
Situata është tensionuar më tej, pasi disa protestues kanë nisur të shkulin pllakat e sheshit, me synimin për t’i përdorur kundër mjeteve të policisë dhe godinave të ministrive.
Ndërkohë, gazi lotsjellës i hedhur nga uniformat blu ka mbuluar sheshin “Skënderbej”, duke krijuar një re të dendur në zonën qendrore të kryeqytetit.














