Gjykata e Lartë ka njoftuar shtyrjen e seancave gjyqësore, me përjashtim të çështjeve urgjente, pas dëmeve materiale dhe në infrastrukturë të shkaktuara nga zjarri gjatë protestave më 17 tetor.

Si pasojë e zjarrit, dëmtime kanë pësuar edhe dosje gjyqësore, ndërsa Gjykata e Lartë thekson se po verifikon gjendjen e dokumentacionit përpara rikthimit në normalitet të veprimtarisë.


Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata e Lartë bëri të ditur se seancat do të mbeten të shtyra deri në përfundimin e procesit të verifikimit dhe vlerësimit të dëmeve, evidentimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore dhe rikthimit të kushteve të nevojshme për vijimin e rregullt të punës.

“Si pasojë e zjarrit të shkaktuar gjatë protestave, në datën 17 tetor 2026, ambientet e Gjykatës së Lartë kanë pësuar dëmtime materiale dhe në infrastrukturë, përfshirë edhe dosje gjyqësore. Kjo situatë e jashtëzakonshme ka ndikuar në kushtet e zhvillimit normal të veprimtarisë gjyqësore, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave për vlerësimin e plotë të dëmeve dhe garantimin e integritetit të dokumentacionit gjyqësor. Në këto rrethana, seancat gjyqësore të planifikuara për t’u zhvilluar në Gjykatën e Lartë, përveç çështjeve me natyrë urgjente, do të shtyhen deri në përfundim të procesit të verifikimit të dëmeve, evidentimit dhe vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore, si dhe për të rikthyer kushtet e nevojshme për vijimin e rregullt të veprimtarisë së institucionit”, thuhet në njoftim, përcjell RTSh.

Gjykata e Lartë bëri të ditur se ka angazhuar kapacitetet e saj njerëzore për të përballuar situatën, ndërsa prioritet mbetet identifikimi dhe verifikimi i dokumenteve të dëmtuara. Palët ndërgjyqëse dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të njoftohen individualisht në rastet kur rezultojnë të prekur nga kjo situatë, përmes të dhënave të tyre të kontaktit.

“Gjykata e Lartë ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe ka ndërmarrë me përgjegjësi e përkushtim të plotë çdo masë të nevojshme për përballimin e kësaj situate të pa precedentë. Prioriteti i Gjykatës mbetet vlerësimi i saktë i dëmeve, identifikimi dhe verifikimi i dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar. Subjektet që do të rezultojnë të prekur nga kjo situatë do të njoftohen individualisht nëpërmjet të dhënave të tyre te kontaktit.

Punonjësit e Gjykatës së Lartë janë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka vijimësia e proceseve gjyqësore dhe për ndikimin që kjo situatë mund të ketë te palët ndërgjyqëse, përfaqësuesit e tyre ligjorë dhe të gjithë përdoruesit e sistemit të drejtësisë. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, në përballimin e këtyre rrethanave, të cilat kërkojnë kohën dhe kujdesin e maksimal për të garantuar vijimin e sigurt dhe të rregullt të veprimtarisë gjyqësore.

Gjykata e Lartë mbetet e vendosur dhe thellësisht e përkushtuar në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, në garantimin e vijimësisë së drejtësisë dhe në mbrojtjen e të drejtave të palëve, duke vepruar me përgjegjësi dhe transparencë. Për datat e reja të zhvillimit të seancave gjyqësore, palët dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë do të informohen në vijim përmes faqes zyrtare të internetit dhe kanaleve zyrtare të komunikimit të Gjykatës së Lartë”, njofton Gjykata e Lartë.