Turqia ka mirëpritur miratimin unanim të memorandumit për zonat e juridiksionit detar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Libisë, duke e cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për mbrojtjen e interesave të përbashkëta në Mesdheun Lindor.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, drejtori i Komunikimit i Presidencës turke, Burhanettin Duran, deklaroi se miratimi i marrëveshjes përbën një zhvillim të rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për përcaktimin e zonave detare mbi bazën e asaj që Ankaraja e konsideron si parim të drejtësisë.

Duran ritheksoi se, nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan, Turqia do të vijojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj detare, të cilat i përfshin në konceptin strategjik të njohur si “Atdheu Blu”. Ai theksoi gjithashtu synimin për të thelluar marrëdhëniet me Libinë dhe për të mbështetur paqen e stabilitetin në rajon. Memorandumi u nënshkrua në nëntor të vitit 2019 dhe përcakton kufijtë e juridiksionit detar mes Turqisë dhe Libisë.

 Miratimi i tij nga Parlamenti libian vjen pas një periudhe kundërshtimesh, pasi institucioni kishte refuzuar më parë marrëveshjen dhe kishte miratuar rezoluta kundër bashkëpunimit me Ankaranë. Marrëveshja ka shkaktuar prej vitesh reagime të forta nga Greqia, e cila kundërshton ligjshmërinë e saj, duke argumentuar se cenon të drejtat sovrane të ishujve grekë dhe bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare të Detit. Miratimi i memorandumit pritet të rikthejë vëmendjen te mosmarrëveshjet për kufijtë detarë në Mesdheun Lindor, ku interesat e Turqisë, Libisë dhe Greqisë mbeten të ndërlikuara.