Kryesore

Rama nuk e kupton pse duhet të ikë? Se ose s’di të ruajë kumbullat, ose ka ngrënë kumbulla dhe ai!

19:52 - 20.10.26 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk i di arsyet përse studentët protestues kërkojnë largimin e tij nga detyra dhe se pret t’i dëgjojë prej tyre. Një deklaratë që, në pamje të parë, mund të duket si një ftesë për dialog, por që në thelb ngre një pyetje shumë më të rëndësishme, si ka mundësi që pas kaq vitesh në pushtet, një kryeministër të mos e kuptojë përse qytetarët, e veçanërisht të rinjtë, kërkojnë largimin e tij?
Ndoshta Rama nuk i dëgjon. Ndoshta nuk dëshiron t’i dëgjojë. Ose ndoshta është aq i rrethuar nga njerëz që i thonë atë që dëshiron të dëgjojë, saqë ka humbur kontaktin me realitetin jashtë zyrave të pushtetit.
Nëse studentët kërkojnë largimin e kryeministrit për shkak të skandaleve, korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe përgjegjësisë politike për mënyrën se si qeveriset vendi, atëherë Rama nuk mund të sillet sikur sapo ka mbërritur në zyrën e Kryeministrisë dhe po kërkon të njihet me problemet.
Ai ka drejtuar qeverinë për 13 vite me radhë. Ka zgjedhur ministrat, ka emëruar drejtuesit, ka mbrojtur bashkëpunëtorët dhe ka marrë meritat për sukseset që pretendon.
Për qindra skandalet e korrupsionit në këto 13 vite, ai nuk ka marrë kurrë përgjegjësi.
Përkundrazi, ka akuzuar të tjerët që sipas tij, kanë ngrënë dardha e kumbulla pas krahëve të tij.


Nëse dikujt i hanë kumbullat pas krahëve, ai mund të pretendojë se nuk ka faj, por mbetet përgjegjës nëse nuk është në gjendje të ruajë kopshtin.
Nëse, përkundrazi, kumbullat i ka ngrënë vetë, atëherë problemi është edhe më i madh.
Në politikë, kjo dilemë ka një kuptim të qartë, ose kryeministri nuk ka ditur të kontrollojë njerëzit dhe institucionet që drejton, duke lejuar abuzimet nën hundën e tij, ose ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për atë që ka ndodhur.
Në të dyja rastet, justifikimi se nuk i di arsyet e protestës nuk e shpëton nga përgjegjësia politike.
Një kryeministër që nuk di çfarë po ndodh në kopshtin që drejton, nuk mund të kërkojë pafajësi vetëm sepse nuk i ka parë kumbullat e ngrëna.
Pra, ose nuk i ruan dot kumbullat, ose i ka ngrënë vetë. Por në të dyja rastet, nuk mund të pretendojë se nuk e kupton përse njerëzit i kërkojnë llogari.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.