• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Tuesday, October 20, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

Shtohen thirrjet në Iran për prodhimin e armëve bërthamore

by Java News
20/10/2026 19:48
Shtohen thirrjet në Iran për prodhimin e armëve bërthamore

Foto: Botë

Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Dikur në Iran ishte tabu të flitej publikisht për zhvillimin e armëve bërthamore. Autoritetet shpesh i referoheshin fjalës së ish-udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, e cila ndalonte zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë. Zyrtarët iranianë prej kohësh kanë ngulmuar se programi bërthamor i vendit shërben vetëm për qëllime civile.

Thirrjet e hapura për prodhimin e një bombe bërthamore nga ligjvënës dhe zyrtarë të lartë të sigurisë do të ishin të paimagjinueshme disa vjet më parë. Por, me luftën me Shtetet e Bashkuara që nuk po i shihet fundi, kjo nuk është më e paimagjinueshme.

Pas gati tetë muajsh konflikti dhe me Uashingtonin që raportohet se po shqyrton sulme ndaj Malit Pickaxe, një objekt nëntokësor, ku sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë Irani ka zhvendosur mijëra centrifuga, thirrjet për prodhimin e bombës bërthamore po shpeshtohen.

Kamal Kharazi, këshilltar i Khameneit, i cili u vra në sulmet izraelite në fillim të këtij viti, tha më 2024 se Teherani “mund ta rishikojë doktrinën e tij bërthamore” nëse do të ndiente se përballej me një kërcënim ekzistencial. Lufta e zhvilluar këtë vit nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit duket se nga disa po shihet pikërisht si një kërcënim i tillë.

Khamenei dhe një grup i zyrtarëve më të lartë të sigurisë dhe komandantëve ushtarakë të Iranit u vranë në valën e parë të sulmeve më 28 shkurt, në ditën kur nisi lufta. Ndonëse sulmet kishin në shënjestër kryesisht objekte të lidhura me shtetin, ushtrinë ose programin bërthamor, u goditën edhe infrastruktura civile dhe u vranë edhe iranianë të zakonshëm.

Operacionet e mëdha ushtarake amerikane janë reduktuar, duke i lënë vendin presionit ekonomik, përfshirë bllokadën detare të porteve iraniane, teksa bisedimet përmes ndërmjetësve kanë ngecur.

Presidenti amerikan, Donald Trump, hodhi poshtë propozimin e fundit të Iranit për një armëpushim shtatëditor dhe rihapjen graduale të Ngushticës së Hormuzit, teksa kërcënoi me rifillimin e sulmeve të mëdha. Uashingtoni thotë se çdo marrëveshje duhet të përfshijë atë që nënpresidenti JD Vance e quajti një reduktim “domethënës” të kapaciteteve të Iranit për pasurimin e uraniumit.

Thirrje të hapura për armë bërthamore

Irani nënshkroi Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) në vitin 1968 dhe e ratifikoi atë më 1970. Traktati ndalon shtetet që kanë armë bërthamore që të transferojnë arsenalet e tyre te shtetet e tjera dhe i detyron shtetet që nuk kanë armë bërthamore të mos i prodhojnë ato, teksa garanton qasjen në teknologjinë bërthamore për qëllime paqësore, por me mbikëqyrje.

Në vitin 2015, Irani nënshkroi gjithashtu Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) me disa fuqi botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Marrëveshja kufizonte programin bërthamor të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Por, që kur presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja më 2018, Irani e ka intensifikuar pasurimin e uraniumit, ndonëse ka vazhduar të pretendojë se programi i tij bërthamor shërben vetëm për qëllime civile.

Në qershor të vitit të kaluar, Izraeli dhe SHBA-ja kryen sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke paralajmëruar se Irani ishte pranë zhvillimit të armëve bërthamore. Më 28 shkurt, të dyja vendet e shtuan edhe më shumë presionin, duke nisur sulmet ajrore që çuan në luftën aktuale.

Ahmad Bakhshayesh Ardestani, ligjvënës dhe anëtar i Komisionit me ndikim të Parlamentit iranian për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, argumentoi së fundi se Irani tashmë e ka paguar çmimin për programin e tij bërthamor dhe se ka ardhur koha të prodhojë armë.

Hossein Ali Haji-Deligani, një tjetër ligjvënës, e përshkroi mungesën e parandalimit bërthamor të Iranit si një nga dobësitë e tij kryesore dhe sugjeroi se një bombë mund të testohet në një të ardhme jo shumë të largët.

Edhe Mohsen Rezaei, sekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, la të kuptohej se prodhimi i armëve bërthamore mbetet një mundësi. Ai ka fajësuar politikat e Trumpit për “shtyrjen e botës drejt posedimit të armëve bërthamore”.

Davud Modarresian, komentator konservator dhe përkrahës i prodhimit të armëve bërthamore, shkroi në X se zhvillimi i një bombe është “më i rëndësishëm se ushqimi”.

Ai argumentoi se zhvillimi i një bombe bërthamore do të shërbente si “garanci për mbijetesën e vendit”, duke iu referuar deklaratës së Trumpit në fillim të këtij muaji për rëndësinë e mbajtjes së marrëdhënieve të mira me fuqitë bërthamore.

“Kur njerëzit kanë 11 raketa bërthamore, është mirë të kesh marrëdhënie të mira me ta”, tha Trump, duke iu referuar Koresë së Veriut dhe marrëdhënieve të tij me udhëheqësin e saj, Kim Jong Un.

Në vitin 2003, Khamenei nxori zyrtarisht një fetva që ndalonte zhvillimin, posedimin dhe përdorimin e armëve bërthamore nga Irani, në përputhje me ligjin islamik.

Modarresian tha se fetvaja nuk ka qenë kurrë një pengesë e vërtetë për zhvillimin e armëve bërthamore dhe fajësoi “pavendosmërinë dhe mungesën e vullnetit të unifikuar politik” për faktin që Irani nuk e ka shndërruar programin e tij bërthamor në një program për prodhimin e armëve.

Megjithatë, disa zyrtarë dhe komentues, të paktën publikisht, janë shprehur kundër shndërrimit të programit bërthamor – ose të paktën çfarë ka mbetur prej tij – në një program për prodhimin e armëve.

Mohammad Mokhber, ish-nënpresident, i cili aktualisht shërben si këshilltar i lartë i udhëheqësit suprem Mojtaba Khamenei, tha se Irani tashmë e ka kapacitetin e nevojshëm parandalues. Duke folur më 19 tetor, ai vlerësoi politikën e Teheranit për shtrirjen e konfliktit në rajon si një mjet mjaftueshëm të fuqishëm parandalues.

Mokhber vuri në pah edhe aftësinë e Iranit për të penguar qarkullimin përmes Ngushticës së Hormuzit, duke thënë: “Çdo vend që ka Ngushticën e Hormuzit nuk ka nevojë për bombë bërthamore”. Ai argumentoi se kontrolli mbi këtë pikë strategjike ndikon te miliarda njerëz, ndërsa një bombë “mund të vrasë 50.000 deri në 100.000 njerëz”.

Ndërkohë, komentuesit që kundërshtojnë zhvillimin e armëve bërthamore paralajmërojnë për pasojat që do të kishte përpjekja për të pasur një bombë.

Sina Jahani, gazetar me bazë në Teheran, argumentoi se largimi nga NPT-ja dhe prodhimi i një arme bërthamore do të ishte “t’i bëje favor Izraelit”.

Ndërkaq, komentuesi politik Amir Ali Abolfath paralajmëroi se kundërshtarët e Iranit do të merrnin vesh për çdo përpjekje për zhvillimin e armëve bërthamore përpara se Irani të arrinte t’i prodhonte ato.

“Çfarë ndodh kur e gjithë infrastruktura e vendit shkatërrohet nga një sulm shkatërrues amerikan, përpara se të arrihet parandalimi bërthamor?”, shkroi ai në X duke iu drejtuar përkrahësve të prodhimit të armëve bërthamore. “A do të sillte parandalim sigurimi i një bombe atomike pas shkatërrimit të vendit?”.

Gjendja e programit bërthamor

Teksa iranianët debatojnë nëse duhet ta shndërrojnë programin bërthamor në një program për prodhimin e armëve, shtrohet një pyetje më praktike: A mundet Irani të prodhojë vërtet një bombë, duke pasur parasysh gjendjen e infrastrukturës së tij bërthamore?

Kapaciteti i Iranit për pasurimin e uraniumit është dëmtuar rëndë, por thelbi i programit të tij bërthamor ka gjasa të ketë mbijetuar.

Nga tre impiantet e pasurimit, i vetmi mbi tokë, në Natanz, u shkatërrua. Dy të tjerët, në Natanz dhe Fordo, u dëmtuan rëndë dhe gjerësisht besohet se nuk janë më funksionalë. Sulmet shkatërruan po ashtu objektet e vetme të Iranit për përpunimin e uraniumit.

Gjëja më e panjohur lidhet me fatin e 440.9 kilogramëve uranium të pasuruar deri në pastërti prej 60 për qind. Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (IAEA), tha në mars se më shumë se 200 kilogramë nga kjo rezervë gjenden ende në tunelet në Isfahan, ndërsa një pjesë ndodhet në Natanz. Në shtator, agjencia tha se kishte humbur gjurmët e rezervave më shumë se një vit më parë.

Zyrtarët amerikanë dhe izraelitë thonë se Irani ka zhvendosur mijëra centrifuga në Malin Pickaxe, në një objekt të groposur në granit, në një thellësi që vlerësohet të jetë prej 80 deri në 100 metrash. Javën e kaluar, Trump tha se Uashingtonit “mund t’i duhet të shkojë atje”.

Në teori, për sa kohë që Irani e posedon rezervën e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë, ai mund ta pasurojë atë deri në nivelin e nevojshëm për armë bërthamore me pak përpjekje dhe duke përdorur vetëm disa centrifuga. Për këtë arsye, objekti në Malin Pickaxe është në qendër të vëmendjes që një kohë. Megjithatë, nëse Irani ka aftësinë për të prodhuar një bombë, kjo është çështje tjetër.

Prej kohësh, Irani ka refuzuar të heqë dorë nga rezerva e tij e uraniumit, por ka ofruar ta hollojë atë si pjesë të një marrëveshjeje më të gjerë me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, e cila tashmë ka hyrë në muajin e saj të tetë.

The post Shtohen thirrjet në Iran për prodhimin e armëve bërthamore appeared first on Euronews Albania.

Burimi: Botë

Next Post
Vandalizmi dhe anonimati në botën digjitale, a duhen kontrolluar rrjetet sociale?

Vandalizmi dhe anonimati në botën digjitale, a duhen kontrolluar rrjetet sociale?

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Vandalizmi dhe anonimati në botën digjitale, a duhen kontrolluar rrjetet sociale?

Vandalizmi dhe anonimati në botën digjitale, a duhen kontrolluar rrjetet sociale?

October 20, 2026
Shtohen thirrjet në Iran për prodhimin e armëve bërthamore

Shtohen thirrjet në Iran për prodhimin e armëve bërthamore

October 20, 2026
Shkodra, viktima 30 vjeçare e fanatizmit politik

Pse Berisha i ndërseu median e familjes ambasadorit të SHBA?

October 20, 2026
Ishte i dehur, qytetari gjendet i shtrirë në “Sheshin Skënderbej”, Policia dhe qytetarët i vijnë në ndihmë!

Ishte i dehur, qytetari gjendet i shtrirë në “Sheshin Skënderbej”, Policia dhe qytetarët i vijnë në ndihmë!

October 20, 2026
Aleks Nikës nuk i thyen këmbën

Saliu i universiteteve

October 20, 2026
Trump përjashton përdorimin e armëve bërthamore kundër Iranit

Paralajmërimi i Trump: Nëse Europa dorëzohet përballë emigracionit, SHBA do të largohet

October 20, 2026
Protestuesit shpërndahen rrugëve, u vënë flakën koshave të mbeturinave, shkulin pllakat e “Sheshit Skënderbej”! Policia i ndjek nga pas, shoqërime të shumta

Protestuesit shpërndahen rrugëve, u vënë flakën koshave të mbeturinave, shkulin pllakat e “Sheshit Skënderbej”! Policia i ndjek nga pas, shoqërime të shumta

October 20, 2026
Lavrov: Zelensky ka sabotuar negociatat. Marrëveshja e paqes do sillte fundin e tij

Lavrov: Zelensky ka sabotuar negociatat. Marrëveshja e paqes do sillte fundin e tij

October 20, 2026
“Lojë luftash“ me Kavajën!

Pse i ngjajmë Perëndimit vetëm te shkatërruesit, por jo te politikanët dhe pedagogët?

October 20, 2026
“Akte të papranueshme”- Protestuesit i vunë zjarrin Gjykatës së Lartë dhe Apelit, Shoqata e Gjyqtarëve: Dënojmë me forcë sulmet e dhunshme!

“Akte të papranueshme”- Protestuesit i vunë zjarrin Gjykatës së Lartë dhe Apelit, Shoqata e Gjyqtarëve: Dënojmë me forcë sulmet e dhunshme!

October 20, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com