Për shkak të përplasjeve gjatë tetë ditëve të protestës në kryeqytet, shumë biznese janë dëmtuar për shkak të akteve të dhunës.
Të dhënat e mbledhura nga Administrata Tatimore në terren dhe raportimet në portalin “Dëmi im” në platformën “e-Albania” kanë rezultuar në 80 subjekte të dëmtuara.
Sipas Tv Klan, vlera e dëmeve për subjekte të veçanta, nga ato 80 që kanë raportuar, arrin në shifrën e 12 milionë lekëve.
Procesi i evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve vijon ende si në terren nga administrata Tatimore që po kryen verifikime përmes 10 ekipeve të posaçme, po ashtu edhe përmes raportimit tek “e-Albania”.
Përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, në “e-Albania”, subjektet tregtare mund të raportojnë dëmet e pësuara gjatë protestave.
Subjektet tregtare mund të deklarojnë online dëmet e shkaktuara në ambientet e tyre, duke plotësuar të dhënat e kërkuara.
Bizneset duhet të ngarkojnë fotografi të dëmeve të shkaktuara, si dhe dokumente të tjera mbështetëse që mund të shërbejnë për të vërtetuar situatën e raportuar.


