Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka deklaruar se qeveria mbetet e hapur për dialog me studentët dhe qytetarët, por jo me personat që, sipas saj, nxisin dhunën dhe shkatërrojnë pronat publike e private. Në një intervistë për Klan News, ajo foli për protestat e ditëve të fundit në Tiranë dhe ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog me protestuesit.
Koçiu e cilësoi dhunën shqetësuese dhe të papranueshme, veçanërisht kur, sipas saj, ajo ushtrohet në emër të studentëve dhe përfshin edhe të mitur.
“Kryeqyteti është përballur me një dhunë ekstreme, ka goditur bizneset, institucionet publike, punonjës të policisë dhe ka goditur të gjithë ata elementë të sigurisë dhe rendit publik”, u shpreh ajo, duke bërë thirrje për dënimin e akteve të dhunshme.
Zëvendëskryeministrja njoftoi gjithashtu se qeveria po përgatit një paketë masash administrative, e cila synon që personat që shkaktojnë dëme në pronën publike të mbajnë përgjegjësi financiare për riparimin e tyre.
“Kush shkatërron pronën do duhet të dëmshpërblejë të gjitha ato dëmtime që vijnë si rezultat i dhunës”, deklaroi Koçiu, duke theksuar se veprat publike ndërtohen me taksat e qytetarëve dhe se dëmtimi i tyre sjell kosto për të gjithë.
Ajo këmbënguli se ftesa për dialog mbetet e vlefshme, por nuk përfshin organizatorët e dhunës dhe personat që sulmojnë efektivët e policisë apo institucionet.
“Ne jemi të hapur për dialog. Kemi disa ditë tashmë. E kemi thënë që ditën e parë: Jemi të hapur për të dialoguar, por jo ndaj dhunuesve dhe ndaj organizatorëve të dhunës. Jemi të hapur ndaj çdo studenti dhe ndaj çdo qytetari. Ne jemi të hapur në çdo orë dhe në çdo moment”, tha ajo.
Koçiu paralajmëroi se personat që cenojnë pronën publike ose përfshihen në vepra penale do të përballen me institucionet e drejtësisë, nëse përgjegjësia e tyre provohet me fakte.
“Çdo individ që cenon pronën publike apo vendoset nën akuza me prova dhe me fakte do përballet me institucionet e drejtësisë. Në rastet kur konstatohet vepra penale, për secilin nga abuzuesit dhe dhunuesit do të përballen me forcën e ligjit. Dhuna nuk na çon askund”, u shpreh zëvendëskryeministrja.
E pyetur nëse qeveria është e gatshme të shqyrtojë propozimet e studentëve, Koçiu u përgjigj pozitivisht, duke bërë sërish dallimin mes kërkesave të tyre dhe veprimeve të personave që përdorin dhunën.
“Patjetër që po, jemi të gatshëm dhe në çdo moment për të marrë propozimet e studentëve. E theksoj, të studentëve, jo të dhunuesve, jo të atyre që gjuajnë me gurë. Jo me ata që organizojnë dhunë”, përfundoi ajo.


