Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, priti në një takim komandantin e ri të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Roberto Vergori. Në fokus të bisedës ishte roli i misionit në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, si dhe rëndësia e tij për ruajtjen e paqes në rajon.
Gjatë takimit, Nufi vlerësoi misionin e KFOR-it dhe theksoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në mbështetje të mandatit të tij.
“Kontributi ynë i vazhdueshëm dhe i palëkundur në këtë mision dëshmon rëndësinë e veçantë që i kushtojmë mandatit dhe rolit të tij në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, u shpreh ministri.
Duke i uruar gjeneralmajor Vergorit suksese në përmbushjen e detyrës së re, Nufi nënvizoi gjithashtu angazhimin e Shqipërisë në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj përgjegjësive të saj si anëtare e përkushtuar e NATO-s, duke vijuar të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për një rajon më të sigurt, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt bashkëpunimit”, deklaroi ai.


