
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimet e gjykatave për protestuesit e ndaluar, duke shprehur shqetësimin për gjuhën e përdorur ndaj gjyqtarëve dhe për ndikimin që ajo mund të ketë në pavarësinë e drejtësisë.
Në një deklaratë publike, shoqata dënon aktet e dhunshme të ndodhura gjatë protestave të fundit, përfshirë sulmet ndaj godinave të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, si dhe zjarrvënien dhe dëmtimin e dosjeve gjyqësore. Sipas saj, këto veprime cenojnë institucionet e drejtësisë dhe funksionimin normal të tyre, ndërsa thekson se mbrojtja e gjykatave dhe e personelit gjyqësor është detyrim i shtetit.
Shoqata shpreh shqetësim edhe për mungesën e masave të përshtatshme parandaluese dhe mbrojtëse nga strukturat e Policisë së Shtetit, duke kërkuar reagim efektiv për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve dhe institucioneve. Në deklaratë, ajo i konsideron problematike edhe komentet publike të kryeministrit ndaj gjyqtarëve që kanë shqyrtuar ose po shqyrtojnë kërkesat e prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë ndaj protestuesve.
Sipas shoqatës, kritika ndaj vendimmarrjes gjyqësore është e ligjshme, por nuk duhet të shndërrohet në sulm personal, delegjitimim të gjyqtarëve apo trysni publike mbi ushtrimin e funksionit të tyre. Shoqata thekson se ligjshmëria dhe proporcionaliteti i masave të sigurisë vlerësohen vetëm nga gjykatat, mbi bazën e ligjit, provave dhe rrethanave konkrete të çdo çështjeje.