Këngëtarja dhe aktorja amerikane Selena Gomez ka treguar se përdorimi i shpeshtë i cigareve elektronike me nikotinë i ka ndryshuar zërin. Në një video të publikuar në Instagram, artistja 34-vjeçare tha se e ka ndërprerë këtë zakon, ndërsa u bëri thirrje edhe të tjerëve të heqin dorë nga nikotina.
“Nuk do të jem në gjendje ta ndryshoj më zërin tim. Kam përdorur shumë cigare elektronike me nikotinë”, u shpreh Gomez, sipas revistës “Variety”.
Ajo pranoi se largimi nga nikotina nuk ka qenë i lehtë, por paralajmëroi se përdorimi i cigareve elektronike nuk ia vlen për shkak të pasojave që, sipas përvojës së saj, ka pasur në zë.
“Nëse po kaloni të njëjtën gjë ose edhe nëse po mendoni të përdorni cigare elektronike, nuk ia vlen. Është diçka shumë e dëmshme dhe më ka ndryshuar zërin”, tha këngëtarja.
Gomez iu drejtua gjithashtu personave që po përpiqen të ndërpresin përdorimin e nikotinës, duke i nxitur të mos heqin dorë nga përpjekjet e tyre.
“Është vërtet e vështirë, nëse po kaloni diçka të tillë, mund t’ia dilni edhe ju”, u shpreh ajo.
Selena Gomez e nisi karrierën që në fëmijëri, me serialin “Barney & Friends”, ndërsa famën më të madhe si aktore e fitoi përmes serialit të Disney-t “Wizards of Waverly Place”, i cili u transmetua nga viti 2007 deri në vitin 2012. Në vitin 2024, ajo u shfaq në filmin “Emilia Pérez”, ku interpretoi personazhin Jessica Del Monte.
Paralelisht me aktrimin, Gomez ndërtoi edhe karrierën muzikore. Ajo publikoi tre albume me grupin “Selena Gomez & The Scene”, si dhe tre albume solo. Në shtator të vitit 2025, ajo u martua me producentin muzikor Benny Blanco.
Artistja ka folur edhe më parë për sfidat shëndetësore me të cilat përballet, përfshirë lupusin, një sëmundje autoimune që mund të shkaktojë dhimbje të kyçeve, skuqje të lëkurës dhe lodhje.


