Ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, i është bllokuar prej tre ditësh faqja zyrtare në rrjetin social Facebook. Për këtë arsye, ajo u është drejtuar ndjekësve përmes Instagramit, duke bërë të ditur se po punon me kompaninë Meta për rikthimin e saj.
Në një njoftim të publikuar në Instagram, Spiropali sqaron se faqja e saj nuk është e aksesueshme prej tre ditësh dhe u kërkon ndjekësve që, deri në një njoftim të dytë, ta kontaktojnë drejtpërdrejt në këtë platformë.
“Prej tre ditësh, faqja ime zyrtare në Facebook është e bllokuar. Po punojmë ngushtë me Meta-n që ta rikthejmë sa më shpejt.
Për të gjithë ju që keni tentuar të më shkruani, deri në njoftimin e radhës, mund të më kontaktoni drejtpërdrejt këtu në Instagram.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj”, shkruan ajo.
Bllokimi i faqes vjen në një moment kur Spiropali ka qenë në qendër të vëmendjes për qëndrimet e saj politike. Katër ditë më parë, ajo iu drejtua kryeministrit Edi Rama me një letër publike, përmes së cilës i kërkoi të përballej me protestuesit.
Ndërkohë, gjatë ditës së sotme është raportuar se ish-kryetarja e Kuvendit nuk ka qenë e pranishme në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.





