Politologu Afrim Krasniqi tha se kryeministri Edi Rama u ka thënë deputetëve socialistë në mbledhjen e grupit se do të qëndrojë në detyrë deri në 2030-ën.

Krasniqi tha se informacionin e ka marrë nga një deputet i PS, që ishte i pranishëm në mbledhje. Ndër të tjera politologu u shpreh se Rama ka kritikuar deputetët lidhur me angazhimin dhe mobilizimin e tanishëm, ku po zhvillohen protesta të dhunshme.

“Sot në grupin parlamentar a e di çfarë është thënë?! Unë kam një mesazh të një deputeti aty. Është skandaloze, t’i thërrasësh deputetët dhe në vend të japësh llogari siç bën çdo shtet serioz në botë, kritikohen deputetët pse nuk mbroni, pse nuk sulmoni, pse nuk bëni share, pse nuk merrni masa, pse nuk mobilizoni! Dhe ‘unë do rri deri në 2030-ën, nuk më largon mua njeri me çdo rast, dhe këta do e shtyjnë deri në muajin mars. Deputeti juaj e tha”, tha Krasniqi.

Pohimet e Krasniqit u hodhën poshtë nga deputeti socialist Eduard Shalsi, që i konsideroi si mashtrime.