Ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Komunës së Parisit, në Tiranë, ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij, dyshohet se është vetëvrasje.
Pas verifikimeve të kryera, hetuesit kanë orientuar hetimet drejt kësaj piste. Një nga elementet kryesore është gjetja e pistoletës brenda makinës ku ndodhej 46-vjeçari.
Pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat po shqyrtohen nga grupi hetimor, tregojnë se dëgjohet vetëm një e shtënë me armë zjarri dhe më pas automjeti qëndron i palëvizur.
Ndërkohë, në kuadër të hetimeve janë verifikuar edhe komunikimet e fundit të Habilit. Sipas të dhënave paraprake, telefonata e fundit e tij dyshohet se ka qenë me bashkëshorten.
Gjithashtu, mësohet se 46-vjeçari kishte pasur konflikte familjare, një element që po merret në konsideratë nga hetuesit për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rastin dhe për të konfirmuar përfundimisht dinamikën e asaj që ndodhi.
