Të martën është mbajtur seanca e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën, ku është diskutuar lidhur me zhvillimet në vend dhe raportin gjashtëmujor të shefit të UNMIK-ut, Peter Due.

Në këtë seancë kanë paraqitur qëndrimet e tyre zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq.


Po ashtu janë deklaruar përfaqësuesi i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Bashkimit Evropian, etj.

Konjufca foli për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sulmin në Banjskë dhe kërcënimet e Serbisë

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, gjatë fjalimit të tij në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka folur për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sulmin në Banjskë dhe kërcënimet e Serbisë.

Ai theksoi se aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) përmban gabime faktike dhe përmbajtjesore.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen për Kosovën, Konjufca ka shprehur pritjen që këto gabime të korrigjohen gjatë procesit të apelit, duke theksuar rëndësinë e një procesi gjyqësor të paanshëm dhe të bazuar në fakte e prova.

“Aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së përmban gabime në fakte dhe në përmbajtje. Ne presim që këto gabime të korrigjohen në procesin e apelit. Drejtësia duhet të jetë e paanshme, të mbështetet në fakte dhe prova dhe të garantojë një proces të drejtë për të gjithë”, është shprehur Konjufca.

Ministri Konjufca më tej ka kritikuar raportin e UNMIK-ut për zhvillimet në Kosovë, duke e cilësuar atë si selektiv dhe duke pretenduar se një pjesë e rasteve të përfshira mbështeten në propagandën serbe.

Pjesën kryesore të kritikave ndaj raportit të UNMIK-ut, Konjufca ia ka kushtuar trajtimit të situatës së sigurisë, incidenteve në veri dhe sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, ministri ka deklaruar se masat e Qeverisë për promovimin e paqes, sigurisë dhe prosperitetit po japin rezultate.

Sipas tij, mbyllja e strukturave që i ka cilësuar si ilegale dhe të operuara nga Serbia synon forcimin e institucioneve demokratike dhe garantimin e sigurisë juridike për të gjithë qytetarët.

“Ne kemi mbyllur strukturat ilegale të operuara nga Serbia, të cilat synojnë të parandalojnë integrimin etnik dhe të minojnë institucionet tona demokratike. Mbyllja e strukturave ilegale siguron siguri më të madhe juridike, trajtim të drejtë dhe siguri për çdo bashkësi etnike”, ka thënë ai.

Konjufca ka theksuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, vazhdon të angazhohet për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Ai ka përmendur gjithashtu hapjen e zyrave për çështje kadastrale, regjistrim të bizneseve, pensione, punësim, energji elektrike dhe administratë tatimore në komunat veriore.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur edhe për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, duke theksuar synimet e saj ekspansioniste territoriale.

Ai theksoi se zyrtarët serbë po e sfidojnë hapur Kosovën.

Konjufca në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tha se personat që kanë kryer krime në Kosovë po vazhdojnë të jetojnë të lirë.

“Zonja presidente, shteti i Serbisë, me flamurin e Serbisë, ka vrarë në vendin tim 12 000 njerëz të paarmatosur, të pafajshëm, shqiptarë. Asnjë fjalë nga ministri Gjuriq për 12 000 shqiptarë të vrarë! Këtë e quaj unë mohim të drejtësisë”, tha Konjufca.

Gjatë fjalimit, Konjufca ka folur edhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke pretenduar se ata përballen me diskriminim sistematik dhe përjashtim nga sektori publik.

Ai ka thënë se shqiptarët përbëjnë 71 për qind të popullsisë së kombinuar të këtij rajoni, sipas regjistrimit të popullsisë në Serbi më 2022, por se përfaqësimi i tyre institucional mbetet i ulët.

Konjufca ka krahasuar këtë situatë me Kosovën, ku, sipas tij, 20 nga 120 ulëset në Kuvend janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përfshirë dhjetë ulëse për komunitetin serb.

Gjuriq kërkoi ballafaqim me të vërtetën në OKB, por Serbia ende nuk jep përgjigje për 1.577 të zhdukurit në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, është ankuar për atë që e ka përshkruar si jetë jonormale dhe nën presion të serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), të martën.

Duke folur për aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale në Hagë, Gjuriq ka kritikuar Kosovën dhe Shqipërinë për reagimet kundër gjykatës.

Ai ka bërë thirrje për, siç është shprehur, “guxim për t’u ballafaquar me të vërtetën”, duke iu referuar viktimave të luftës në Kosovë.

Gjuriq ka folur edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke thënë se zbardhja e fatit të tyre “nuk mund të varet nga negociatat politike”.

Megjithatë, 1.577 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur nga lufta në Kosovë. Autoritetet kosovare i kanë kërkuar vazhdimisht Serbisë bashkëpunim për zbardhjen e fatit të tyre, si dhe qasje në arkivat ushtarake që mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

SHBA godet fort në OKB: Mbylleni UNMIK-un, koha e tij ka përfunduar dhe nuk ka më vend në Kosovë

Zëvendëspërfaqësuesja e misionit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Tammy Bruce, gjatë deklaratës së saj në OKB ka dhënë një deklaratë të fortë, duke kërkuar mbylljen e UNMIK-ut, pasi koha e tij ka përfunduar dhe se nuk ka vend më në Kosovë.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, Bruce u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e besimit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.

Ajo tha se presidenti amerikan, Donald Trump, i admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet në Ballkan.

“Paqja midis Kosovës dhe Serbisë është jo vetëm esenciale. Presidenti Trump admiron të dyja vendet dhe dëshiron paqe, stabilitet dhe prosperitet. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje të dyja palëve të tregojnë përmbajtje, të bëjnë hapa praktikë drejt ndërtimit të besimit dhe ruajtjes së stabilitetit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog”, deklaroi Bruce, raporton Klankosova.tv.

Ajo theksoi se progresi afatgjatë duhet të vijë nga vetë Kosova dhe Serbia.

“Progresi afatgjatë do të vijë nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit”, tha ajo.

Bruce kërkoi gjithashtu mbylljen e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), duke argumentuar se mandati i tij nuk i përgjigjet më realitetit aktual në vend.

Sipas saj, Kosova e sotme dallon ndjeshëm nga ajo e vitit 1999, ndërsa prania e KFOR-it, Bashkimit Evropian, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe agjencive të tjera të OKB-së ofron mekanizma më të përshtatshëm për kryerjen e detyrave që kanë mbetur në mandatin e UNMIK-ut.

“Ne vëzhgojmë me një mision të tejkaluar. Nuk mund të pretendojmë se misioni ka ndonjë rol të konsiderueshëm në qeverisjen e Kosovës”, tha Bruce.

Ajo e cilësoi UNMIK-un si një mision me shumë staf, por pa paqeruajtës, duke vlerësuar se vazhdimi i tij, pasi e ka përfunduar punën, nuk i ndihmon askujt dhe mund t'i dëmtojë grupet e cenueshme.

Bruce kritikoi edhe pamundësinë e Këshillit të Sigurimit për të rishikuar mandatin e misionit, duke e cilësuar këtë si shenjë të mosfunksionimit të sistemit të OKB-së.

“Paaftësia jonë për të rishikuar mandatin e përhershëm të UNMIK-ut është një shenjë paralajmëruese serioze e mosfunksionimit të sistemit të OKB-së, është paaftësia jonë për të vepruar kur momenti e kërkon veprimin”, deklaroi ajo.

Në përfundim, përfaqësuesja amerikane theksoi se Këshilli i Sigurimit duhet të zgjedhë mes vazhdimit të misionit dhe administrimit më të mirë të burimeve të Kombeve të Bashkuara.

“Koha e këtij misioni ka përfunduar”, përfundoi Bruce.

Britania thirrje Serbisë t’i dorëzojë përgjegjësit për Banjskën, përfshirë Radoiçiqin

Gjatë fjalimit në OBK, përfaqësuesja e Britanisë në OKB, Jennifer MacNaughtan i bëri thirrje Serbisë që personat përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Milan Radoiçiqin, të dalin para drejtësisë.

Në diskutimin e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesja e Britanisë përmendi edhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se tre vjet nga sulmi dhe Serbia nuk ka ndërmarrë asgjë.

Ajo kërkoi që Serbia të ofrojë qasje në arkiva për të mundësuar përparim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Britania ka mirëpritur formimin e institucioneve të Kosovës dhe ka kërkuar nga shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit që t’i bashkohen shumicës së shteteve njohëse.

Përfaqësuesja britanike ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë dhe të ardhmen evropiane të të dyja vendeve.

Ajo u ka bërë thirrje palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, si dhe zotimet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

BE-ja e gatshme për takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, por kërkon vullnet nga të dyja palët

Bashkimi Evropian ka deklaruar se përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, është e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por për këtë nevojitet vullnet nga të dyja palët.

Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i BE-së në Kombet e Bashkuara, Stavros Lamperinos, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Ai ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga kushtet thelbësore për përparimin e të dyja vendeve drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Përfaqësuesja e Lartë mbetet e gatshme të thërrasë një takim të nivelit të lartë, por nevojitet vullnet nga të dyja palët. I inkurajojmë palët që ta marrin përsipër këtë përpjekje drejt normalizimit, të angazhohen në mirëbesim dhe ta mundësojnë një takim të tillë”, ka deklaruar ai.