Mijëra persona protestuan të martën në mbrëmje në Portugali, duke kërkuar zgjidhje për krizën e strehimit dhe ndalimin e rritjes së çmimeve të pronave. Demonstratat u përqendruan kryesisht në Lisbonë dhe në Porton, ku aktivistët kundërshtuan ndërhyrjen e autoriteteve për të çmontuar kampet e tyre.
Policia portugeze ndërhyri në orët e para të së martës për të shpërndarë kampet e ngritura, duke hequr gjithsej 228 tenda. Gjatë operacionit në Lisbonë, autoritetet raportuan 55 të arrestuar dhe dy të plagosur. Në sheshin Rossio disa protestues krijuan një zinxhir njerëzor për të penguar ndërhyrjen e policisë, dhe situata u përshkallëzua më pas në përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Pas ndërhyrjes, aktivistët u mblodhën sërish në shesh dhe me votim përmes ngritjes së duarve vendosën që kampi të rivendosej për të vazhduar protestën.
Pankarta me mesazhe si “Lisbona nuk është në shitje” dhe “Më detyruan të dal në rrugë për të bërtitur” reflektonin kërkesat për masa konkrete që të lehtësojnë vështirësitë e sigurimit të strehimit. Organizatoret synojnë që protestat t’i tërheqin vëmendjen ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të banesave, e cila po e vështirëson aksesin në strehim për qytetarët.
Policia argumentoi se përdorimi i forcës ishte i drejtë dhe proporcional, duke theksuar se disa protestues kishin refuzuar të largoheshin pavarësisht urdhrave të autoriteteve. Edhe Ministria e Brendshme vlerësoi profesionalizmin e efektivëve dhe deklaroi se dialogu ishte prioritet deri në momentin e fundit.
Presidenti i Portugalisë, António José Seguro, bëri thirrje për një marrëveshje të gjerë mes partive politike për miratimin e masave afatgjata kundër krizës së strehimit. Disa aktivistë, të frymëzuar nga kampet e ngritura në Spanjë, përfshirë atë në Puerta del Sol në Madrid, synojnë të koordinojnë lëvizjen në të gjithë gadishullin Iberik, duke e kthyer krizën e strehimit në një çështje të përbashkët rajonale.
