Kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish ditën e sotme ‘karriget e dialogut’ para Kryeministrisë, duke ftuar protestuesit që të ulen dhe të diskutojnë.
“Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme, mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun mes njerëzve që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzish që ndajnë një atdhe, që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët, mes njerëzish që duan të njëjtën gjë në fund, si ta bëjnë Shqipërinë më të mirë. E drejta e protestës është e pamohueshme, dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri.
Dora ime është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe nga unë dhe që mendon ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysninë e dhunës. Por çdo gjë që kërkojmë më mirë, më shumë dhe më shpejtë, bëhet me punë, me të ardhurat nga puna, duke i çuar ato të ardhura aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje. Distancohuni nga dhuna dhe çdo dhunues do të marrë përgjigje. Përgjigja do të jetë konstante, ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë. Në Shqipëri gjithësecili do të ketë vendin e vet, por nga ana tjetër liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e të tjerëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet aty ku të tjerët kanë të drejtë të jetojnë nën qiellin e përbashkët të bashkëjetesës demokratike e paqësore”, tha mes të tjerash Rama.


