Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina nuk po e humb luftën me Rusinë, por po paguan një çmim të rëndë në jetë njerëzore.
“Ne nuk po e humbim këtë luftë, por po humbim njerëz dhe kohë”, është shprehur Zelensky, duke theksuar se konflikti po ua privon fëmijëve mundësinë për të pasur një fëmijëri normale.
Gjatë qëndrimit në Oslo, ai ka nënvizuar nevojën për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt dhe ka shprehur shpresën se SHBA-ja dhe vendet evropiane do të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën, raportojnë mediat e huaja.
Zelensky ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë bisedimeve me të dërguarin e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff janë diskutuar ide konkrete për arritjen e paqes, përfshirë mundësinë e një takimi trepalësh mes liderëve.
Sipas presidentit ukrainas, Witkoff pritet të udhëtojë drejt Rusisë për bisedime, ndërsa mbetet për t’u parë qëndrimi i presidentit rus Vladimir Putin.
Duke komentuar edhe raportimet për bisedime të mundshme mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, Zelensky ka ritheksuar se Ukraina duhet të jetë pjesë e çdo procesi që përcakton të ardhmen e saj.
“Nuk mund të ketë asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”, ka përfunduar ai.


