• Kreu
REPORT.AL
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport
No Result
View All Result
REPORT.AL
No Result
View All Result
Home Aktualitet

Dhuna ndaj të miturve vë në pikëpyetje reagimin e policisë gjatë protestave

by Bota Bota
October 21, 2026
in Aktualitet, Kryesore
Dhuna ndaj të miturve vë në pikëpyetje reagimin e policisë gjatë protestave
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Në një video të publikuar nga mediat të hënën në mbrëmje, një grup policësh shihen duke iu sulur disa të rinjve dhe duke i goditur me shkopinj gome. Mes goditjeve, njëri prej tyre dëgjohet duke thirrur se është vetëm 13 vjeç.

BIRN nuk arriti të verifikonte në mënyrë të pavarur moshën e të rinjve në video, por pamje të ngjashme të përdorimit të forcës ndaj protestuesve, përfshirë të mitur, kanë qarkulluar gjerësisht në media dhe rrjetet sociale gjatë javës së fundit.

Ato kanë ngritur shqetësime për mënyrën se si Policia e Shtetit po i trajton fëmijët dhe adoleshentët e përfshirë në valën e protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit, gjatë protestave në Tiranë dhe në disa qarqe të vendit janë arrestuar 300 persona, përfshirë 33 të mitur. Ndërkohë, 559 persona janë proceduar penalisht, mes tyre 171 të mitur.

Në total, 204 të mitur janë arrestuar ose proceduar penalisht, duke përbërë gati një të katërtën e 859 personave të përfshirë në këto dy kategori.

Megjithatë, kjo shifër nuk pasqyron domosdoshmërisht numrin e plotë të të miturve që janë shoqëruar në komisariate dhe janë liruar pa masa të mëtejshme, pasi procedimi penal nuk kërkon në çdo rast shoqërimin fizik të personit në polici.

Gati gjysma e të arrestuara janë të moshës 18 deri në 24 vjeç.

Protestat, të nisura nga studentët dhe të mbështetura më pas nga gjimnazistët, janë nxitur nga pakënaqësia ndaj korrupsionit, mungesës së perspektivës dhe kostos së lartë të jetesës. Por ndërsa demonstratat janë shoqëruar me përplasje të dhunshme dhe dëmtime të pronës, reagimi i policisë ndaj pjesëmarrësve më të rinj ka nxjerrë në pah shqetësime serioze për respektimin e të drejtave të fëmijëve.

Autoritetet e justifikojnë përdorimin e forcës me nevojën për të ruajtur rendin publik, por dëshmitë e familjarëve dhe shkeljet e evidentuara nga organizatat e të drejtave të njeriut ngrenë pikëpyetje mbi proporcionalitetin e ndërhyrjeve dhe përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e të miturve.

Vetëm gjatë protestës së të hënës, më 19 tetor, Avokati i Popullit evidentoi 18 të mitur të shoqëruar në polici, ndërsa disa prej tyre pretenduan se ishin dhunuar nga efektivët.

Ahmet Prençi, komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit, deklaroi të martën se monitorimi i ambienteve të policisë kishte evidentuar ankesa për dhunë fizike dhe verbale ndaj personave të ndaluar, përfshirë fëmijë.

“Në komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e ndaluar pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha Prençi. “Në dy prej tyre u konstatuan shenja të dëmtimit fizik”.

Sipas tij, institucioni kishte marrë gjithashtu një ankesë për dhunë ndaj një të mituri në Bllokun e Sigurisë.

Monitorimi evidentoi edhe shkelje të garancive procedurale. Të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave, ndërsa gjashtë prej tyre ishin regjistruar në regjistrin e të rriturve.

Prençi kujtoi se Konventa për të Drejtat e Fëmijës kërkon trajtim human dhe respektim të nevojave të veçanta të personave nën moshën 18 vjeç.

“Dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast”, theksoi ai.

Megjithatë, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, mbrojti veprimet e forcave të rendit, duke pretenduar se policia kishte “zbatuar standardet dhe ligjet në fuqi” gjatë ndërhyrjeve.

“Policët nuk marrin parasysh moshën e atyre që gjuajnë me molotov dhe mjete të tjera në momentin e ndërhyrjes”, i tha Demo BIRN-it në një bisedë telefonike.

Ai shtoi se autoritetet ishin të hapura ndaj hetimit të çdo rasti të raportuar për abuzim nga punonjësit e policisë.

Apeli për hetimin e dhunës ndaj të miturve

Protestave të nisura nga studentët iu bashkuan edhe gjimnazistët që në ditën e dytë. Disa prej tyre u përfshinë në përplasje me policinë, duke hedhur gurë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa këto të fundit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e demonstruesve.

Pamjet e publikuara gjatë protestave tregojnë gjithashtu policë që godasin protestues me shkopinj gome, shqelma dhe grushte, përfshirë raste kur ata ndodhen nën kontrollin e forcave të rendit.

Mes të miturve të ndaluar ishte edhe djali 15-vjeçar i Anisa Lutajt, ndërsa një video ku ai shihet duke u goditur nga policët u shpërnda në internet.

“Djali im nuk ka kryer asnjë akt dhune ndaj policisë, por ata e dhunuan dhe e rrahën pa asnjë shkak”, i tha Lutaj BIRN-it.

Sipas saj, i biri kaloi 72 orë në dhomat e sigurisë, të cilat i ndau me pesë të mitur të tjerë. Familja tashmë përballet me një proces gjyqësor, pasi policia e akuzon 15-vjeçarin se kishte kokteje Molotov dhe një thikë në çantë.

“Këta policët janë të sofistikuar se nga i nxjerrin këto gjëra, se djali vetëm çantë me libra kishte me vete dhe nuk bëri asgjë. Duket kjo edhe në video, janë edhe dëshmitë e shokëve”, këmbënguli e ëma.

Lutaj pranoi se, për shkak të mungesës së informacionit mbi procedurat që duhet të ndiqte, nuk kishte paraqitur ende ankesë pranë institucioneve për dhunën e pretenduar dhe nuk kishte siguruar një raport mjekoligjor për dëmtimet e të birit.

“Isha e shokuar dhe, duke mos pasur eksperiencë me këto gjëra, nuk kam bërë asgjë, se e kisha mendjen si ta nxirrja nga policia”, tha ajo.

Organizatat dhe opozita kërkojnë hetime

Organizatat për të drejtat e njeriut, përfaqësues të shoqërisë civile dhe opozita kanë ngritur shqetësime për përdorimin joproporcional të forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestave, veçanërisht ndaj të miturve.

Një raport i hartuar nga ekspertë ligjorë të Partisë Demokratike, që dokumenton raste të raportuara të përdorimit joproporcional të forcës ndaj protestuesve, përfshirë të miturit, u është dërguar organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, trupit diplomatik dhe Parlamentit Europian.

Deputetja Jorida Tabaku, e cila drejton Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, tha se raporti synon të informojë institucionet ndërkombëtare mbi shkeljet e pretenduara dhe të kërkojë vëmendjen e tyre për respektimin e të drejtave themelore dhe garantimin e përgjegjësisë për çdo rast abuzimi.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, KShH, ka ngritur gjithashtu shqetësime për dhunën e pretenduar ndaj të miturve të shoqëruar nga policia, shkeljen e garancive ligjore dhe mangësitë në trajtimin e tyre në komisariate.

Gazetari Zylyftar Bregu, monitorues pranë KShH-së, i tha BIRN-it se organizata kishte marrë shumë pretendime për dhunë ndaj të miturve të shoqëruar apo ndaluar, por kishte dokumentuar dy raste të mbështetura edhe me raporte mjekoligjore.

“Në protestën e ditës së dytë u shoqëruan shumë të mitur, u arrestuan edhe dy të mitur që kishin marrë ndihmë mjekësore te Spitali i Traumës. Njëri kishte dëmtim në këmbë dhe në krah, shkaktuar nga shkopinjtë e policisë, dhe tjetri kishte plagë në kokë”, tha Bregu.

KShH ka evidentuar gjithashtu shqetësime lidhur me marrjen e telefonave në momentin e ndalimit, duke ua vështirësuar të miturve njoftimin e prindërve ose kujdestarëve ligjorë, marrjen në pyetje pa psikolog ose pa praninë e prindërve, mbipopullimin e dhomave të sigurisë dhe mungesën e kujdesit shëndetësor.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dënoi dhunën policore ndaj të miturve dhe kërkoi një hetim të pavarur ndërkombëtar për sjelljen e forcave të rendit gjatë protestave.

Drejtori i qendrës, Altin Hazizaj, i tha BIRN-it se përdorimi i plumbave manovër ndaj fëmijëve ishte i papranueshëm.

“Nuk ka shtet demokratik në botë që të përdorë plumba manovër ndaj fëmijëve. Kjo është e patolerueshme”, deklaroi ai.

“Kemi kërkuar që të ketë një hetim të pavarur ndërkombëtar në lidhje me sjelljen e policisë në Shqipëri”, shtoi Hazizaj.

Edhe përfaqësues të organizatave të prindërve kanë kërkuar respektimin e garancive ligjore gjatë ndalimit të të miturve, duke ngritur veçanërisht shqetësimin për përdorimin e dhunës pasi protestuesit janë neutralizuar nga policia.

“Skenat më shqetësuese janë dhunimi i të ndaluarve dhe sidomos i të miturve kur janë të neutralizuar”, i tha BIRN-it gazetarja dhe aktivistja e grupimit “Prindër për Arsim Cilësor”, Ermelinda Hoxhaj.

Sipas saj, pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe transmetimet televizive tregojnë episode të përdorimit të forcës ndaj protestuesve, përfshirë të mitur të neutralizuar, si dhe përdorimin e gazit lotsjellës në rrethana që, sipas saj, nuk e justifikonin ndërhyrjen.

Hoxhaj kërkoi gjithashtu hetimin e çdo rasti të mundshëm të keqpërdorimit të fëmijëve në protesta, duke theksuar se prindërit kanë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe duhet t’i shoqërojnë gjatë pjesëmarrjes në demonstrata. /BIRN

Tags: dhunëProtestëte miturit
Previous Post

Rama, natën i rreh studentët, ditën u kërkon dialog!

Bota Bota

Bota Bota

TË FUNDIT

Dhuna ndaj të miturve vë në pikëpyetje reagimin e policisë gjatë protestave

Dhuna ndaj të miturve vë në pikëpyetje reagimin e policisë gjatë protestave

October 21, 2026
Rama, natën i rreh studentët, ditën u kërkon dialog!

Rama, natën i rreh studentët, ditën u kërkon dialog!

October 21, 2026
Sindikata e Pedagogëve nis zbatimin e bojkotit në të gjitha universitetet publike

Sindikata e Pedagogëve nis zbatimin e bojkotit në të gjitha universitetet publike

October 21, 2026
“S’ka dialog, jep dorëheqjen”/ Studentët dhe pedagogët i refuzuan ftesën, Rama nxjerr sërish karriget para Kryeministrisë

“S’ka dialog, jep dorëheqjen”/ Studentët dhe pedagogët i refuzuan ftesën, Rama nxjerr sërish karriget para Kryeministrisë

October 21, 2026
I keqtrajtoi fëmijën në kopsht/ Nëna dhunon edukatoren, përfundojnë të dyja në ndjekje penale

I keqtrajtoi fëmijën në kopsht/ Nëna dhunon edukatoren, përfundojnë të dyja në ndjekje penale

October 20, 2026
Champions League/ Duel spektakolar me 6 gola, kampionët e PSG-së i japin ‘leksion’ Barcelonës

Champions League/ Duel spektakolar me 6 gola, kampionët e PSG-së i japin ‘leksion’ Barcelonës

October 20, 2026
Revolta studentore, Begaj takim me ambasadorët e SHBA, BE dhe Gjermanisë! Marrin pjesë dhe dy ish-Presidentët Topi e Meidani

Revolta studentore, Begaj takim me ambasadorët e SHBA, BE dhe Gjermanisë! Marrin pjesë dhe dy ish-Presidentët Topi e Meidani

October 20, 2026
Në orën 10:00 para Kryeministrisë/ Të shtunën thirret protestë kombëtare e studentëve, e pranishme dhe diaspora

Në orën 10:00 para Kryeministrisë/ Të shtunën thirret protestë kombëtare e studentëve, e pranishme dhe diaspora

October 20, 2026
Zyrtare/ Sindikata e Pedagogëve shpall bojkotin në të gjitha universitetet publike

Zyrtare/ Sindikata e Pedagogëve shpall bojkotin në të gjitha universitetet publike

October 20, 2026
Protestuesit u ‘strehuan’ te “Taiwan-i”, policia futet brenda

Protestuesit u ‘strehuan’ te “Taiwan-i”, policia futet brenda

October 20, 2026

REPORT.AL

Portali report.al është një media online e pavarur që sjell lajme, analiza dhe informacione të sakta në kohë reale. Me fokus tek transparenca dhe vërtetësia, portali synon t’u ofrojë lexuesve shqiptarë një burim të besueshëm lajmesh nga politika, ekonomia, shoqëria dhe ngjarjet ndërkombëtare.

RUBRIKAT

  • Aktualitet
  • OP-ED
  • Politike
  • Rajon
  • Showbiz
  • Sociale
  • Shëndet
  • Sport

MË TË KLIKUARAT

  • “Lirojini!”/ Tensione në protestën e të rinjve në Korçë, protestuesit godasin shefin e Komisariatit, ka të shoqëruar (VIDEO)

    “Lirojini!”/ Tensione në protestën e të rinjve në Korçë, protestuesit godasin shefin e Komisariatit, ka të shoqëruar (VIDEO)

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Atentati në Tiranë, zbulohet identiteti i viktimës

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Sa kushton jetesa për një të ri në Tiranë, si u trefishuan kostot në pak vjet

    0 shares
    Share 0 Tweet 0
  • Aktualitet
  • OP-ED
  • Politike
  • Rajon
  • Showbiz
  • Sociale
  • Shëndet
  • Sport

© 2025 REPORT.AL

No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Rajon
  • Ekonomi
  • Botë
  • Sociale
  • Shëndet
  • OP-ED
  • Showbiz
  • Sport

© 2025 REPORT.AL