Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, u bëri thirrje autoriteteve dhe protestuesve në Shqipëri, Belgjikë, Francë, Itali dhe Portugali që të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e dhunës. Ai dënoi të gjitha aktet e dhunës dhe kërkoi që të gjithë të përfshirët të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm, duke vënë në dukje se rruga më e mirë dhe e vetme përpara është dialogu gjithëpërfshirës dhe i zhvilluar në kushte sigurie.
Turk rikujtoi se njerëzit kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore dhe të dëgjohen, dhe se shtetet kanë detyrimin t’i mundësojnë dhe t’i garantojnë këto të drejta. Ai shprehu keqardhje të thellë për veprimet e atyre që shfrytëzojnë protestat për të kryer akte dhune dhe vandalizmi ndaj pronës publike dhe private, duke theksuar se këta individë duhet të mbajnë përgjegjësi individuale për veprimet e tyre.
Komisioneri shprehu shqetësim për raportimet që flasin për përdorim të panevojshëm dhe të tepruar të forcës ndaj protestuesve, përfshirë edhe fëmijët. Ai theksoi se ndërhyrjet e organeve ligjzbatuese duhet të jenë në përputhje me ligjin, të domosdoshme dhe proporcionale. Çdo pretendim për përdorim të paligjshëm të forcës, sipas Turk, duhet të hetohet pa vonesë, në mënyrë efektive dhe të pavarur, me qëllim vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës dhe sigurimin e mjeteve juridike efektive për viktimat.
Ai vërejti se autoritetet kanë ndërmarrë tashmë disa hapa për hetimin e incidenteve dhe uljen e tensioneve, por i nxis më tej shtetet që të angazhohen në dialog kuptimplotë, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv me protestuesit, veçanërisht me të rinjtë. Turk kërkoi gjithashtu që shtetet të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar shqetësimet legjitime dhe thelbësore lidhur me të drejtat e njeriut, duke përmendur çështje si arsimi, shërbimet publike, strehimi, rritja e kostos së jetesës dhe pabarazia.
