Një avion luftarak Mirage 2000-D i Forcave Ajrore Franceze është rrëzuar rreth orës 23:00 të së martës, pranë qytetit Nancy në Francë, gjatë një fluturimi stërvitor. Si pasojë e aksidentit, një nga dy anëtarët e ekuipazhit ka humbur jetën, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e personit të dytë.
Ekuipazhi përbëhej nga një pilot luftarak dhe një oficer fluturimi, përgjegjës për navigimin dhe sistemet luftarake të avionit.
Sipas kryetarit të komunës Pont-à-Mousson, Henri Lemoine, rrënojat e avionit u lokalizuan me ndihmën e një droni. Dëshmitarët në zonë raportuan një shpërthim të fuqishëm dhe një top zjarri që ndriçoi qiellin gjatë natës.
Në vendngjarje janë angazhuar zjarrfikësit, ekipet e shpëtimit, policia dhe një helikopter, të cilët po vijojnë operacionin për gjetjen e anëtarit të dytë të ekuipazhit.
Ndërkohë, autoritetet franceze kanë nisur hetimet e sigurisë dhe ato gjyqësore për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi rrethanat që çuan në aksidentin ajror.
