E ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, profesoresha e menaxhimit të marrëdhënieve njerëzore, Mimoza Manxhari, kritikoi mënyrën se si pushteti dhe shoqëria ndikojnë mbi lirinë dhe pavarësinë e individit, duke sjellë në vëmendje protestën e studentëve të vitit 2018 si reagim ndaj degradimit të sistemit arsimor.
Manxhari deklaroi se shoqëria kishte marrë një rol imponues mbi jetën e qytetarëve, deri në atë pikë sa, siç u shpreh ajo, “po na merret fryma”.
Ajo foli gjithashtu për përdorimin e studentëve për interesa politike, duke theksuar se një pjesë e tyre shfrytëzoheshin për t'u kthyer në përfaqësues rinorë të partive politike.
Sipas profesoreshës, protesta e studentëve nuk u kufizua vetëm te kërkesat financiare, por u zgjerua edhe te cilësia e mësimdhënies dhe standardet e arsimit.
Pjesë nga intervista:
Librin "Qeverisja je ti“ unë nuk do ta quaja kapitull të errët, por do ta quaja justifikim të atij libri, i cili nuk është një produkt spontan, por një produkt intelektual që materializon të gjitha kuptimet e mia si studiuese, si profesoreshë dhe, mbi të gjitha, si qytetare.
Reflektimin tim personal për mënyrën se si ndërtohet marrëdhënia midis individit dhe shoqërisë e kuptova së fundmi nga përjetimet personale. Patjetër që nuk dal asnjëherë jashtë kuadrit të eksperiencës personale. Nuk më pëlqen të bëj filozofi, por më pëlqen të bëj reflektime mbi bazën e gjithçkaje që unë akumuloj.
Eksperienca e viteve të fundit më bëri të kuptoj dhe më ka vendosur përballë një pyetjeje kërkimore, të cilën ua parashtroj edhe studentëve të mi: Kush është metamorfoza e pushtetit dhe cila është marrëdhënia e individit me shoqërinë?
Një shoqëri që, sipas asaj që unë kam kuptuar, është një shoqëri njerëzore e krijuar për të mbrojtur individin. Të gjithë jemi familjarizuar me konceptin e kontratës shoqërore, që është një marrëveshje midis individit dhe të tjerëve. Pra, unë me ty apo me këdo që është rreth meje, dakordësohemi për të vendosur dy kushte: nuk do të më vrasësh dhe nuk do të të vras. Dhe u krijua mbi këtë bazë rregulli, norma „mos më vrit“ dhe institucioni për ta mundësuar dhe për ta ekzekutuar mosvrasjen nëpërmjet mekanizmave të ndëshkimit ose stimulimit.
Dhe ajo që pashë tani, duke ditur historinë dhe gjithçka që ka ndodhur që nga momenti i ditës së parë të kontratës shoqërore, unë e shikoj si një dhunim të kontratës shoqërore. Sepse, në eksperiencën time, e theksoj, patjetër që nuk jam mbyllur në kullën time; jam një vëzhguese, sepse, dua apo s’dua, do të jem përballë auditorit. Shikoja dhe përjetoja pikërisht këtë dhunim.
Shoqëria kishte marrë një lloj prepotence dhe një lloj imponimi mbi jetën time dhe jetën e gjithsecilit, duke na diktuar në ato nivele saqë po na merret fryma.
Unë, si individ, e kam gjetur veten në protestat e studentëve në vitin 2018. Isha brenda një sistemi, të cilin e shikoja që degradonte, jo thjesht në numrin e studentëve që ishin aty, por edhe në cilësinë e studentëve. Pjesa dërrmuese e tyre shfrytëzoheshin, përdoreshin për t’u bërë përfaqësues rinorë të partive politike, gjë e cila, për mua si individ, përbënte një cenim të pavarësisë sime. Dua të ndihmoj që individët të jenë të pavarur, sepse pavarësia do të thotë që ti të jesh zot i vetes tënde dhe jo të të përdorin sipas qejfit të njerëzve.
Viti 2018 konsiderohet për mua personalisht si fillimi. Pra, nuk janë katër muaj, por janë tetë vite, të cilat kanë një progres. Është protesta e studentëve, e cila, në fakt, filloi për kushte financiare, por u modifikua gjatë rrugës, duke u orientuar drejt standardeve më serioze që kishin të bënin me cilësinë e mësimdhënies. Unë e mbështesja edhe për gjëra të tjera. Më pas u shfaq protesta e profesoratit, ku edhe vetë jam bërë pjesë dhe kam përqafuar frymën e saj.
© SYRI.net
Dhuna ndaj medias/ Policia goditi gazetarët e SYRI TV, ‘Reporterët pa Kufij’: Sanksione ndaj përgjegjësve
Los Angeles Times: Policia shqiptare përplaset me protestuesit antiqeveritarë për të tetën ditë radhazi
Dhunë brutale policore ndaj të miturve gjatë protestave/ Organizatat dhe opozita kërkojnë hetim