
Barcelona pësoi humbjen e parë të sezonit, duke u mposhtur me rezultatin 4-2 nga Paris Saint-Germain në Champions League. Megjithatë, Raphinha nuk sheh arsye për panik dhe thekson se kjo disfatë nuk duhet të ndikojë te skuadra përpara përballjes së madhe me Real Madridin.
Pas përfundimit të ndeshjes, Raphinha doli në konferencën për shtyp, ku analizoi paraqitjen e skuadrës, pranoi vështirësinë e përballjes me PSG-në dhe dërgoi një mesazh të qartë përpara El Clasicos.
“E dinim se kjo mund të ndodhte. Po përballeshim me një skuadër që e ka fituar dy herë Champions League dhe të luash përballë tifozëve të tyre është shumë e vështirë. Donim të merrnim fitoren ose të paktën një pikë, por nuk është fundi i botës. Humbje të tilla ndodhin dhe, në fund të fundit, kemi humbur vetëm tre pikë”, deklaroi braziliani.
Më tej, sulmuesi theksoi se skuadra duhet të analizojë gabimet dhe të përgatitet sa më mirë për sfidën e radhës ndaj Real Madridit.
“Do të shohim se çfarë do të na thotë trajneri për të përmirësuar lojën tonë dhe për të qenë gati për El Clasicon”, shtoi ai.
Pavarësisht humbjes 4-2, Raphinha vlerësoi paraqitjen e skuadrës katalanase, duke theksuar se Barcelona tregoi se mund të konkurrojë edhe kundër ekipeve më të forta të Evropës.
“Kjo është një skuadër që drejtohet shumë mirë. Pavarësisht rezultatit, ne luajtëm mirë. Të dyja skuadrat pëlqejnë të luajnë me topin dhe ne arritëm të kishim zotërimin e tij. Ishte një provë e mirë dhe treguam se mund të konkurrojmë. Rezultati është ai që është, por mendoj se luajtëm mirë. Kjo humbje nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë te ne përpara ndeshjes me Real Madridin”, përfundoi Raphinha.
