Bleu një kishë të braktisur për 40 mijë euro dhe e ktheu në shtëpinë e ëndrrave, dizajnerja amerikane : Ka vrima sa madhësia e një njeriu
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, po përgatitej të urdhëronte sulme të reja ushtarake kundër Iranit në fillim të tetorit, por presidenti amerikan Donald Trump kundërshtoi rifillimin e armiqësive përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të planifikuara për 3 nëntor.
Lajmi është raportuar nga gazeta britanike Financial Times, duke cituar tre burime të informuara për çështjen.
Sipas raportimit, Forcat e Armatosura Izraelite ishin gati të ndërmerrnin sulme gjatë fundjavës së 10 tetorit, me objektiv instalimet bërthamore iraniane, objektet e lidhura me regjimin dhe infrastrukturën civile, përfshirë termocentralet energjetike.
Burimet e cituara nga gazeta bëjnë me dije se Trump nuk dëshironte që armiqësitë të rifillonin përpara zgjedhjeve amerikane, duke e lënë të paqartë nëse Uashingtoni do të përfshihej drejtpërdrejt në një operacion të ri ushtarak.
Sipas të njëjtave burime, sulmet e planifikuara nga Izraeli do të kishin një intensitet më të madh se ato të kryera nga SHBA-ja dhe Izraeli në shkurtin e kaluar.
Megjithatë, mundësia e një rifillimi të operacioneve ushtarake në javët e ardhshme nuk është përjashtuar. Një nga burimet e cituara nga Financial Times e përshkroi këtë skenar si një mundësi që nuk mund të konsiderohet e paarsyeshme.
Një tjetër burim bëri të ditur se Izraeli ka përgatitur një “bankë objektivash” të re, e cila përfshin edhe infrastrukturë civile që nuk ishte goditur gjatë operacioneve të mëparshme.
Nga ana tjetër, një burim sugjeroi se përgatitjet ushtarake izraelite mund të kenë qenë pjesë e një strategjie negociuese për të ushtruar presion ndaj Teheranit. Sipas këtij interpretimi, vendimi përfundimtar për rifillimin e armiqësive do të varej nga qëndrimi i presidentit amerikan. Pentagoni nuk ka komentuar mbi raportimin.
Raporti i Financial Times vjen dy ditë pas publikimit të informacioneve se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte zhvilluar një vizitë sekrete në Izrael, ku ishte takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu për të diskutuar mbi kërcënimet ndaj rajonit.
Nuk është hera e parë në javët e fundit që Netanyahu raportohet se po kërkon rifillimin e operacioneve ushtarake kundër Iranit.
Më 9 tetor, Trump deklaroi se Uashingtoni nuk do ta sulmonte Iranin përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA. Deklarata erdhi pas raportimeve se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, gjenerallejtënant Eyal Zamir, kishte paralajmëruar homologët amerikanë se një sulm i mundshëm mund të ndikonte në zhvillimin e zgjedhjeve izraelite, të planifikuara për javën e ardhshme.
Në Jerusalem, sipas raportimit, ekziston shqetësimi se Irani mund t’i përgjigjet një sulmi amerikan me një valë masive raketash kundër territorit izraelit.
Ndërkohë, televizioni izraelit Channel 12 raportoi javën e kaluar se Netanyahu i kishte kërkuar Trumpit të rifillonte operacionet ushtarake kundër Iranit përpara zgjedhjeve izraelite të 27 tetorit dhe zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, më 3 nëntor.
Pavarësisht përgatitjeve të raportuara dhe presionit të pretenduar nga pala izraelite, mbetet e paqartë nëse do të ketë një operacion të ri ushtarak dhe në çfarë mase Shtetet e Bashkuara do të përfshihen në të.
Top Channel