E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pedagogët në mbështetje të studentëve, vijojnë bojkotin e mësimit
Lajme

Pedagogët në mbështetje të studentëve, vijojnë bojkotin e mësimit

Bojkoti i mësimit është shtrirë në disa universitete publike të vendit, ndërsa pedagogë dhe studentë po i bashkohen protestave në mbështetje të të rinjve që prej ditësh kundërshtojnë situatën në vend. Nga vendimi i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) për ndërprerjen e mësimit në universitetet publike, te marshimet në Korçë dhe bojkoti në Elbasan, institucionet akademike po përfshihen gjithnjë e më shumë në reagimin studentor.

Pedagogët pezullojnë mësimin pa afat, kërkojnë ndalimin e dhunës

SPUSH ka vendosur të ndërpresë procesin mësimor në të gjitha universitetet publike, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që protestojnë. Vendimi u miratua unanimisht nga kryesia e sindikatës më 20 tetor dhe hyri në fuqi më 21 tetor. Sipas njoftimit, bojkoti do të vijojë deri në një komunikim të ri nga sindikata.

Pedagogët argumentojnë se nuk mund të zhvillojnë normalisht mësimin ndërsa studentët përballen me dhunë gjatë protestave. Në qëndrimin e tyre, ata ngrenë shqetësime për cilësinë e arsimit, sistemin shëndetësor, sigurinë e qytetarëve, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.

Sindikatat u kërkojnë institucioneve përgjegjëse të ndalojnë dhunën ndaj protestuesve, të garantojnë hetim të pavarur dhe transparent për përdorimin e forcës dhe të vendosin para përgjegjësisë personat që kanë urdhëruar apo ushtruar dhunë. Po ashtu, kërkohet trajtim i ligjshëm dhe dinjitoz për studentët e shoqëruar nga policia.

SPUSH u ka bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të universiteteve publike të respektojnë bojkotin dhe të mos marrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që marrin pjesë në protesta.

Përveç ndërprerjes së mësimit, pedagogët kanë njoftuar se do të mblidhen çdo ditë në orën 10:00 përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, për t’iu bashkuar reagimit në mbështetje të studentëve.

Sindikata sqaron se orët e humbura do të zëvendësohen më vonë dhe se bojkoti nuk përbën braktisje të procesit akademik. Rikthimi në auditorë, sipas saj, lidhet me marrjen e një përgjigjeje ndaj shqetësimeve të ngritura nga protestuesit.

Korçë, pedagogët dhe studentët dalin në marshim

Edhe në Korçë, pedagogë dhe studentë të universitetit kanë bojkotuar mësimin dhe kanë zhvilluar një marshim paqësor në rrugët e qytetit.

Pjesëmarrësit u mblodhën fillimisht në ambientet e universitetit dhe më pas nisën marshimin, duke shprehur solidaritetin me protestën studentore dhe kërkesat e të rinjve.

Edhe Universiteti i Elbasanit bojkoton mësimin

Bojkoti është shënuar edhe në Universitetin e Elbasanit. Edhe pse një pjesë e studentëve u paraqitën në auditorë, mësimi nuk u zhvillua.

Studentët e kanë lidhur vendimin me ngjarjet e fundit në kryeqytet, duke shprehur kundërshtimin ndaj vijimit të procesit mësimor në kushtet e tensioneve dhe shqetësimeve për sigurinë e protestuesve.

Deri në momentin e raportimit, nuk ishte njoftuar zyrtarisht për një marshim apo mbledhje të organizuar nga studentët në Elbasan.

Përfshirja e pedagogëve dhe universiteteve në këtë reagim shënon një zgjerim të mbështetjes për protestat studentore, ndërsa kërkesat për ndalimin e dhunës, hetimin e incidenteve dhe përgjigjen ndaj shqetësimeve të të rinjve mbeten në qendër të qëndrimeve të bëra publike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.