BIRN: Trajtimi i të miturve gjatë protestave ngre shqetësime për veprimet e policisë

Të dhënat për 204 të mitur të arrestuar ose të proceduar penalisht në protestat e ditëve të fundit, së bashku me raportimet për dhunë dhe shkelje procedurash, kanë vënë në alarm Avokatin e Popullit dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Të hënën në mbrëmje u publikua një video ku disa efektivë policie shihen teksa godasin me shkopinj gome një grup të rinjsh. Gjatë pamjeve, njëri prej tyre thotë se është 13 vjeç.

Të lidhura

None found

BIRN nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur moshën e personave që shfaqen në video. Sidoqoftë, gjatë javës së fundit janë shpërndarë gjerësisht edhe pamje të tjera të forcës së përdorur kundër protestuesve, mes të cilëve edhe të mitur.

Materialet kanë shtuar pikëpyetjet për mënyrën se si Policia e Shtetit po sillet me fëmijët dhe adoleshentët që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Shifrat zyrtare të policisë tregojnë se në protestat në Tiranë dhe në qarqe të tjera janë arrestuar 300 persona, 33 prej tyre të mitur. Po ashtu, 559 persona janë proceduar penalisht, përfshirë 171 të mitur.

Kështu, numri i të miturve në të dyja kategoritë arrin në 204, afërsisht një të katërtën e 859 personave të arrestuar ose të proceduar.

Kjo shifër nuk përfshin patjetër çdo të mitur të shoqëruar në komisariat e më pas të liruar pa u marrë masë e mëtejshme. Procedimi penal, në çdo rast, nuk nënkupton se personi duhet të dërgohet fizikisht në polici.

Ndër të arrestuarit, gati gjysma janë 18 deri në 24 vjeç.

Nismën e protestave e morën studentët, të cilëve më pas iu bashkuan gjimnazistët. Pakënaqësia për korrupsionin, mungesën e perspektivës dhe shtrenjtimin e jetesës u kthye në mobilizim, ndërsa përplasjet dhe dëmtimet e pronës u shoqëruan me shqetësime për mënyrën si u trajtuan pjesëmarrësit e mitur.

Qeveria e lidh përdorimin e forcës me ruajtjen e rendit publik. Por ankesat e familjarëve dhe konstatimet e organizatave për të drejtat e njeriut kanë ngritur dyshime për përpjesëtimin e ndërhyrjeve dhe detyrimin e institucioneve për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve.

Gjatë protestës së 19 tetorit, të hënën, Avokati i Popullit evidentoi 18 të mitur të shoqëruar në polici. Disa prej tyre thanë se ishin dhunuar nga efektivët.

Ahmet Prençi, komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës pranë Avokatit të Popullit, bëri të ditur të martën se vëzhgimi në mjediset policore nxori ankesa për dhunë fizike dhe verbale ndaj të ndaluarve, përfshirë fëmijë.

“Në komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e ndaluar pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga punonjësit e Policisë së Shtetit”, u shpreh Prençi. “Në dy prej tyre u konstatuan shenja të dëmtimit fizik”.

Ai njoftoi edhe për një ankesë tjetër, që lidhej me dhunën e pretenduar ndaj një të mituri në Bllokun e Sigurisë.

Kontrolli evidentoi gjithashtu cenim të të drejtave procedurale: të miturve nuk iu dorëzua formulari që përmban të drejtat e tyre, ndërsa gjashtë u regjistruan në regjistrin e personave të rritur.

Prençi rikujtoi se Konventa për të Drejtat e Fëmijës kërkon që personat nën 18 vjeç të trajtohen në mënyrë njerëzore dhe duke marrë parasysh nevojat e tyre të veçanta.

“Dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast”, tha ai.

Ministri i Brendshëm Ervin Demo, nga ana e tij, mbrojti veprimet e policisë dhe pretendoi se gjatë ndërhyrjeve ishin “zbatuar standardet dhe ligjet në fuqi”.

“Policët nuk marrin parasysh moshën e atyre që gjuajnë me molotov dhe mjete të tjera në momentin e ndërhyrjes”, i tha Demo BIRN-it në një bisedë telefonike.

Ministri shtoi se autoritetet janë të gatshme të hetojnë çdo rast të raportuar për abuzim nga punonjës të policisë.

Thirrje për hetim të dhunës së pretenduar ndaj fëmijëve

Gjimnazistët iu bashkuan protestave të studentëve që në ditën e dytë. Disa u përleshën me policinë dhe hodhën gurë drejt efektivëve; policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë demonstruesit.

Video të tjera nga protestat paraqesin policë që godasin protestues me shkopinj gome, shqelma e grushte. Në disa raste, dhuna shihet teksa personat janë tashmë nën kontrollin e forcave të rendit.

Mes të miturve të ndaluar ishte edhe djali 15-vjeçar i Anisa Lutajt. Një video ku ai shfaqet duke u goditur nga policët u përhap në internet.

“Djali im nuk ka kryer asnjë akt dhune ndaj policisë, por ata e dhunuan dhe e rrahën pa asnjë shkak”, i tha Lutaj BIRN-it.

Ajo tha se i biri qëndroi 72 orë në dhomat e sigurisë, bashkë me pesë të mitur të tjerë. Familja është tashmë përballë një procesi gjyqësor, pasi policia e akuzon 15-vjeçarin se në çantë kishte kokteje Molotov dhe një thikë.

“Këta policët janë të sofistikuar se nga i nxjerrin këto gjëra, se djali vetëm çantë me libra kishte me vete dhe nuk bëri asgjë. Duket kjo edhe në video, janë edhe dëshmitë e shokëve”, këmbënguli nëna e tij.

Lutaj pranoi se ende nuk kishte bërë ankesë pranë institucioneve për dhunën e pretenduar dhe nuk kishte marrë raport mjekoligjor për dëmtimet e të birit. Ajo tha se nuk e njihte procedurën që duhej ndjekur.

“Isha e shokuar dhe, duke mos pasur eksperiencë me këto gjëra, nuk kam bërë asgjë, se e kisha mendjen si ta nxirrja nga policia”, u shpreh ajo.

Organizatat dhe opozita kërkojnë hetime

Përdorimi i forcës gjatë protestave, sidomos ndaj të miturve, është kritikuar nga organizata për të drejtat e njeriut, përfaqësues të shoqërisë civile dhe opozita, të cilët e kanë cilësuar joproporcional.

Ekspertë ligjorë të Partisë Demokratike kanë përgatitur një raport me raste të raportuara të përdorimit të tepruar të forcës ndaj protestuesve, përfshirë fëmijë. Dokumenti iu është përcjellë organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, trupit diplomatik dhe Parlamentit Europian.

Jorida Tabaku, deputete dhe drejtuese e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, tha se përmes raportit synohet të informohen institucionet ndërkombëtare për shkeljet e pretenduara. Sipas saj, kërkohet që ato t’i kushtojnë vëmendje mbrojtjes së të drejtave themelore dhe vendosjes para përgjegjësisë për çdo abuzim.

Shqetësime për dhunën e raportuar ndaj të miturve të shoqëruar, mosrespektimin e garancive ligjore dhe trajtimin e tyre në komisariate ka ngritur edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH).

Zylyftar Bregu, gazetar dhe monitorues pranë KShH-së, i tha BIRN-it se organizata kishte marrë shumë pretendime për dhunë ndaj të miturve të shoqëruar apo të ndaluar. Ai tha se dy raste ishin dokumentuar me mbështetjen edhe të raporteve mjekoligjore.

“Në protestën e ditës së dytë u shoqëruan shumë të mitur, u arrestuan edhe dy të mitur që kishin marrë ndihmë mjekësore te Spitali i Traumës. Njëri kishte dëmtim në këmbë dhe në krah, shkaktuar nga shkopinjtë e policisë, dhe tjetri kishte plagë në kokë”, deklaroi Bregu.

KShH ka ngritur shqetësime edhe për marrjen e telefonave gjatë ndalimit, e cila ua vështirëson të miturve të njoftojnë prindërit ose kujdestarët ligjorë. Organizata ka përmendur gjithashtu marrjen në pyetje pa psikolog apo prind, mbipopullimin e dhomave të sigurisë dhe mungesën e kujdesit shëndetësor.

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve e dënoi dhunën policore të pretenduar ndaj të miturve dhe kërkoi që sjellja e forcave të rendit gjatë protestave të hetohet nga një mekanizëm i pavarur ndërkombëtar.

Altin Hazizaj, drejtor i qendrës, i tha BIRN-it se përdorimi i plumbave manovër ndaj fëmijëve nuk mund të pranohet.

“Nuk ka shtet demokratik në botë që të përdorë plumba manovër ndaj fëmijëve. Kjo është e patolerueshme”, deklaroi ai.

“Kemi kërkuar që të ketë një hetim të pavarur ndërkombëtar në lidhje me sjelljen e policisë në Shqipëri”, shtoi Hazizaj.

Përfaqësues të organizatave të prindërve kanë bërë thirrje që gjatë ndalimit të të miturve të respektohen garancitë ligjore. Ata kanë vënë në dukje veçanërisht përdorimin e dhunës pasi protestuesit janë neutralizuar.

“Skenat më shqetësuese janë dhunimi i të ndaluarve dhe sidomos i të miturve kur janë të neutralizuar”, i tha BIRN-it Ermelinda Hoxhaj, gazetare dhe aktiviste e grupimit “Prindër për Arsim Cilësor”.

Sipas Hoxhajt, pamjet në rrjetet sociale dhe transmetimet televizive tregojnë dhunë ndaj protestuesve, mes tyre edhe të mitur të neutralizuar. Ajo përmendi gjithashtu përdorimin e gazit lotsjellës në rrethana që, sipas saj, nuk e justifikonin ndërhyrjen.

Hoxhaj kërkoi që të hetohet çdo rast i mundshëm i keqpërdorimit të fëmijëve në protesta. Ajo theksoi se prindërit kanë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe duhet t’i shoqërojnë kur marrin pjesë në demonstrata.


Shtuar më 21.10.2026 10:44