NatGeo: Destinacionet më të mira për t’u vizituar në vitin 2027

Nga fjordet e Norvegjisë te qytetet historike të Europës, plazhet e Karaibeve dhe peizazhet e Azisë, revista e mirënjohur National Geographic ka publikuar listën e destinacioneve më të mira për t’u vizituar në vitin 2027.
Lista vjetore “Best of the World 2027”, e hartuar nga rrjeti ndërkombëtar i gazetarëve, fotografëve dhe eksploruesve të revistës, përfshin 25 destinacione në gjashtë kontinente, të përzgjedhura për bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore dhe zhvillimet e reja turistike.
Europa ka një prani të rëndësishme në përzgjedhje, me destinacione në Norvegji, Skoci, Spanjë, Francë, Gjermani dhe Poloni.
Rajoni Vestland në Norvegji veçohet për fjordet spektakolare, ujëvarat dhe mundësitë për turizëm natyror.
Qyteti i Bergenit, me arkitekturën historike dhe gastronominë nordike, është një tjetër pikë tërheqëse.
Në Francë, Normandia pritet të tërheqë vizitorë gjatë vitit 2027 me mbi një mijë aktivitete kulturore, të organizuara për të përkujtuar njëmijëvjetorin e lindjes së Uilliam Pushtuesit.

Gjermania përfaqësohet nga Leipzigu, qyteti i njohur për trashëgiminë muzikore, ku gjatë vitit të ardhshëm do të organizohen festivale dhe aktivitete kushtuar kompozitorëve të mëdhenj.
Në Spanjë, Santanderi po shndërrohet në një qendër të rëndësishme kulturore, falë hapjes së muzeve të reja të artit.
Në Azi spikasin Penangu në Malajzi, Niigata në Japoni, Chengdu në Kinë dhe Jaipuri në Indi. Këto destinacione ndërthurin traditat historike me gastronominë, artin dhe investimet në infrastrukturën turistike.
Një vend të veçantë zë edhe Luksori në Egjipt, ku më 2 gusht 2027 pritet të ndodhë një eklips total diellor, që do ta kthejë qytetin historik në një prej qendrave kryesore të vëmendjes turistike.

Në Amerikën Latine, përzgjedhja përfshin destinacione në Brazil, Kili, Meksikë dhe Peru, ndërsa në Afrikë veçohet Malavi, si alternativë për turizmin natyror larg destinacioneve të mbipopulluara.
Shqipëria nuk është përfshirë në përzgjedhjen e këtij viti. Nga rajoni më i gjerë përfshihet Armenia, me shtegun Transkaukazian, që ofron mundësi të reja për turizmin malor dhe aventurën.
Destinacionet e përzgjedhura nga National Geographic për vitin 2027:
1. Vestland, Norvegji
2. Penang, Malajzi
3. Luksor, Egjipt
4. Madison, Wisconsin, SHBA
5. Porto Riko
6. Dumfries dhe Galloway, Skoci
7. Niigata, Japoni
8. Chengdu, Kinë
9. Autostrada e Bregut të Paqësorit, Kaliforni, SHBA
10. Jaipur, Indi
11. Grenada
12. Salvador, Brazil
13. Cape Froward, Kili
14. Santander, Spanjë
15. Normandi, Francë
16. Malet Ozark Jugore, SHBA
17. Halifax, Kanada
18. Shtegu Transkaukazian, Armeni
19. Melburn, Australi
20. Leipzig, Gjermani
21. Baltimore, Maryland, SHBA
22. Malavi
23. Maya Ka’an, Meksikë
24. Tricity (Gdańsk, Sopot dhe Gdynia), Poloni
25. Kuélap, Chachapoyas, Peru
/ NatGeo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









