Sot pritet të shqyrtohen në gjykatë 59 masa sigurie ndaj të rinjve të arrestuar gjatë protestave të ditëve të fundit në Shqipëri.
Sipas raportimeve në media, seancat gjyqësore do të zhvillohen nga tre gjyqtarë.
Gjykata nuk ka publikuar listën me emrat e personave që do të dalin përpara saj, ndërsa pranë ambienteve të gjykatës janë paraqitur prindër dhe familjarë, të cilët kërkojnë informacion për fëmijët e tyre dhe masat që do të shqyrtohen.
Të rinjtë janë arrestuar gjatë protestave që kanë përfshirë vendin prej tetë ditësh, ku demonstruesit kanë dalë në rrugë duke kërkuar, mes të tjerash, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Gjatë këtyre ditëve janë shënuar përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, ndërsa demonstratat janë shoqëruar me arrestime e procedime penale.
Shqyrtimi i masave të sigurisë pritet të përcaktojë vijimin e procedurave ligjore për 59 të arrestuarit.













