Një tjetër grup studentësh i është bashkuar protestës që po zhvillohet në Tiranë, duke marshuar në drejtim të Kryeministrisë me flamurin kuq e zi në duar.
Protesta e studentëve vijon prej më shumë se një jave, ndërsa të rinjtë kanë bërë të qartë se kërkesa e tyre kryesore është largimi i kryeministrit Edi Rama.
Me flamurin kombëtar në krye të marshimit, studentët po i bashkohen tubimit para godinës së Kryeministrisë, ku prej ditësh qytetarë dhe të rinj protestojnë kundër qeverisë. Pjesëmarrja e grupeve të reja tregon vijimësinë e protestës, e cila ka hyrë tashmë në ditën e saj të tetë.
Gjatë ditëve të kaluara, demonstratat janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, ndërsa janë raportuar raste të përdorimit të gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës, plumbave të gomës dhe levave të hekurit. Pamjet e dhunës policore kanë nxitur reagime dhe kanë shtuar tensionet rreth protestës.













