Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë të mërkurë një takim me drejtuesit e sistemit bankar, pas sulmeve të dhunshme të protestuesve, të cilët dëmtuan 38 degë bankare dhe 42 bankomatë në Tiranë. Rama tha se qeveria nuk do të bëjë asnjë lëshim përballë protestuesve të dhunshëm që gjatë këtyre ditëve kanë sulmuar institucionet, bizneset, bankat dhe forcat e Policisë. Duke theksuar se protestuesit morën peng Tiranën, Rama tha se dhuna është e orkestruar dhe e mbështetur nga forca të huaja që kanë si synim destabilizimin e Europës.
”Ishte shumë e rëndësishme ta bënim këtë takim edhe me ju, pas një histerie dhune që mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte para gjithë Shqipërinë. Nga ne s’ka asnjë lëshim. Kjo është një dhunë e orkestruar, e lidhur me elementë të jashtëm. Po ndodh edhe në kryeqytete të tjera të Europës përmes një lëvizjeje marksiste neokomuniste që quhet ‘Antifa’.
Vajza dhe djem të ekstremizuar që bëjnë thirrje si në kohën e mesjetës për të burgosur e syrgjynosur këdo që sipas tyre përfaqëson të keqen dhe nga ana tjetër është komponenti i kriminalitetit. Kriminaliteti i vogël i lagjeve mblidhet me sponsorizimin e krimit të organizuar. Pastaj ato kanë një mbështetje nga forca të huaja që kanë synim destabilizimin e Europës. Këta elementë nuk janë studentë. Ajo pjesë nuk është nxitëse e mbështetëse e dhunës”, tha mes të tjerash Rama.
