Edhe Barcelona u detyrua të gjunjëzohej përballë Paris Saint Germainit. Skuadra katalanase që deri tani kishte vetëm fitore me një mesatare të frikshme me 4 gola për ndeshje, në Paris e provuan në lëkurën e tyre këtë; 4 shuplaka dhe humbja e parë sezonale.

Sigurisht bëhet fjalë për një ndeshje të Fazës së Ligës, me El Clasico ndaj Realit të Madridit në horizont dhe kjo humbje me siguri nuk është dramatike. Por kurioziteti për të parë dy prej ekipeve më të mira të këtij sezoni në Champions League ishte shumë i madh. Rezultati i parë ishte i qartë; kampionët në fuqi të Evropës janë ende kandidatja më e fortë për triumfin final.

Ajo në Parkun e Princave ishte një provë force që vjen një javë pas spektaklit që Paris Saint Germain dha në Etihad Stadium ndaj një tjetre favoriteje për titullin siç ishte Manchester City. Edhe në Angli Paris Saint Germain shënoi 4 gola ndaj një skuadre që në sezon deri në atë moment kishte vetëm 1 humbje, atë në finalen e Community Shield ndaj Arsenalit. Që nga ai moment Manchester City ka pasur vetëm fitore në Premier League e Champions, sigurisht me përjashtim të humbjes ndaj Paris Sainit Germainit.

Në këtë mënyrë, Luis Enrique po e sheh veten të ecë në gjurmët e Zidane, trajneri i fundit që ka mundur të fitojë Ligën e Kampioneve për 3 vjet radhazi me Realin e Madridit. Paris Saint Germain me tripletën e mundshme evropiane do hynte në një klub shumë të ngushtë pasi përveç Realit të Madridit në 2016/2018, vetëm Ajaxi në 1971-1973 dhe Bayerni i Mynihut në 1974-1976 ia kanë dalë mbanë të fitojnë 3 here radhazi kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube. Gjithsesi, sezoni është i gjatë, por dominimi i francezëve sot për sot duket se është i destinuar të vazhdojë.

Top Channel