Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e 1 milion eurove për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Amendamenti, i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, nuk mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit të Buxhetit, me pesë vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime.


Kryetari i Komisionit, Enver Haliti, tha se amendamenti synon të sigurojë mjete financiare për pajisjet dhe protezat për invalidët e luftës.

“Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksualetë Luftës dhe për Persona të Pagjetur në nenin 6 të projektligjit ka bërë që ka të bëjë me nenin 32 të ligjit bazik të paragrafit 2, neni 32a, në fund të tekstit shtohet teksti si në vijim. Të shtohet edhe 1 milion euro për pajisjet, protezat dhe mjetet tjera mjekësore për invalidët e luftës”, tha ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se kjo çështje tashmë është e rregulluar institucionalisht përmes një udhëzimi administrativ të miratuar në mars të vitit 2024, i cili mundëson mbulimin e shpenzimeve përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Në lidhje me këtë çështje, tashmë ka rregullim institucional, pra që prej marsit të vitit 2024 është miratuar udhëzimi administrativ, i cili e mbulon këtë këst përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Pra, është miratuar udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë, kështu që kjo çështje tashmë ka zgjidhje, nuk e shoh që është e nevojshme të bëhet një amandament i tillë”, tha ai.

Haliti bëri të ditur se, sipas informatave të pranuara nga Ministria e Shëndetësisë, përmes vendimeve të vitit 2024 është mundësuar mbulimi financiar për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezave për invalidët e luftës dhe invalidët civilë të luftës.

“Unë kam marrë një informatë nga Ministria e Shëndetësisë ku na kanë njoftuar që me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në vitin 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta që kanë të bëjnë me personat me status të invalidit të luftës, UÇK-së, dhe me personat me status të invalidit civil të luftës, ku përmes këtyre vendimeve është përcaktuar edhe mundësia e mbulimit financiar për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezës sipas kërkesave individuale të aplikuesve, duke respektuar rregullat dhe procedurat e legjislacionit në fuqi.

Sipas raporteve të trajtimit dhe rimbursimit, deri më tani nga këto vendime kanë përfituar 103 persona. Do të thotë, janë 58 invalidë të luftës, UÇK-së, dhe 45 invalidë të civilë të luftës. Çka do të thotë që të gjitha kërkesat që kanë ardhur në për mbulimin e shpenzimeve të gjitha rastet 100% janë zgjidhur dhe janë ofruar me përjashtim të një rasti që është në shqyrtim e sipër. Përndryshe, të gjitha kërkesat janë mbuluar dhe kanë marrë zgjidhje”, tha ai.

Megjithatë, nënkryetari në këtë komision nga PDK, Mergim Lushtaku, mbështeti amendamentin, duke thënë se vazhdimisht ka ankesa nga invalidët e luftës për mbulimin e shpenzimeve të protezave.

“Ky amendament besoj që është i qëlluar. Për vetë faktin, kemi qytetarë kemi këtë rast edhe invalidë të luftës, veteranë të luftës, që na paraqiten vazhdimisht, edhe kanë ankesa në këtë pjesë të pjesës së protezave. Nuk është e vërtetë që janë të mbuluar me të gjitha domethënë financimet për për proteza. Prandaj, besoj është e bazuar edhe kërkesa e komisionit në këtë drejtim dhe mbështetjen time e ka në këtë drejtim. Nuk është shumë e madhe që besoj që ndikon në në buxhet edhe besoj që kjo kategori duhet edhe duhet vlerësohet më shumë në mbështetjen edhe të buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e konsideroi të nevojshëm amendamentin.

“Është amandament i qëlluar. Është një realitet i dhimbshëm nëpër çka kanë kaluar invalidët e luftës, njerëz të cilët ndërrimin e protezave shpesh herë e kanë bërë përmes miqve, shokëve në diasporë, të cilët ju kanë ndihmuar vazhdimisht duke u përkujdesur për shëndetin e tyre, kanë qenë kategoria që kanë qenë anash komplet nga institucionet e vendit” tha ajo.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme përmes buxhetit të rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.

"Unë këtë amendament e përkrah. Mendoj që diskutimi për këtë çështje tregon dështimin tonë si shoqëri dhe si institucione për me e adresuar një herë e përgjithmonë këtë çështje. Qeveri pas qeverie kemi dështuar që ta institucionalizojmë kujdesin për këta njerëz. Në kohën e pandemisë kemi ndarë plot atëherë kur kemi qenë në qeveri ne kemi ndarë plot mbështetje për grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe për organizatat e dala nga lufta. Atëherë, në vitin 2020, kemi bërë një marrëveshje të shkruar me Organizatën e Veteranëve të Luftës, që kjo çështje të institucionalizohet, të bëhet pjesë e buxhetit të rregullt në klinikën e ortopedisë në QKUK, ata të evidentojnë të gjitha rastet që kanë nevojë për proteza, cilat mund t'i kryejnë vetë, dhe cilat duhet t'i dërgojnë jashtë për trajtim, dhe të futet si pjesë e buxhetit të rregullt të QKUK-së dhe të klinikës së ortopedisë, që të mos ketë nevojë as për amandamente shtesë në komision, as për vendime ekzekutive të qeverisë ose të ministrit të Shëndetësisë.

Unë mendoj që kjo është qasje që një herë e përgjithmonë duhet me e adresuar këtë çështje. Unë e përgëzoj ministrin që e ka marrë një vendim në vitin 2024, por nuk është zgjidhje përfundimtare. Nuk mund t'i lëmë këta njerëz nën mëshirën, si me thënë, të vendimeve ekzekutive të qeverisë e të ministrave, ose të amandamenteve në komision. Unë besoj që me buxhetin e vitit 2027, kur të vjen, ta adresojmë ne. Nëse qeveria nuk e sjell të tillë, ta adresojmë ne dhe ta zgjidhim një herë e përgjithmonë atë çështje. Pra, protezat të bëhen pjesë e buxhetit të rregullt të klinikës së ortopedisë, jo të fondit për sigurime shëndetësore, se nuk ka nevojë të shkojnë aty", tha Hoti.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit, anëtarët e Komisionit diskutuan edhe për nenin 5, i cili lidhet me mundësinë e pagesës së kompensimeve retroaktive, përfshirë ato që burojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kërkoi sqarime lidhur me formulimin “Qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktive.

“Po më interesonte neni 5, se kemi pasur diskutime edhe në mbledhjet e kaluara të legjislaturës së kaluar. Që realisht është dashur me pasur një kompensim të përvojës së punës dhe gjykata kushtetuese vetëm pse e ka marrë vendimin për atëherë nuk ishte në planifikim. Tash, ju me këto po mundoheni me i vendos në planifikim. Por përveç kësaj, po më interesonte fjala te fjala te rreshti i parë me propozim të ministrit të financave, "qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktiv". Domethënë, pse fjala "mund" kur besoj që deri sot është nen i ligjit duhet të jetë, duhet të miratojë. Po sigurisht, ndoshta kjo është çështje e fjalive, por besoj që është e rëndësishme edhe teknikisht e përmirësuar”, tha deputeti Lushtaku.

Ministri Murati tha se formulimi synon të krijojë bazën ligjore për realizimin e pagesave, duke mundësuar njëkohësisht që ato të bëhen në përputhje me qëllimin e përcaktuar dhe pa tejkalime buxhetore.

“Kjo është çështje më shumë juridike, do të thosha, sesa financiare. Është gjuhë që përdoret zakonisht, nëpër ligje të tilla, ideja është pra që të krijohet mundësia dhe baza ligjore. Dhe me këtë rast, kjo fjali e krijon bazën ligjore, pra për t'u bërë ky kompensim retroaktiv. Ndërkaq, tek fjala "duhet", zakonisht nuk hezitojnë edhe juristët, pra që të shtojnë fjalë të tilla obligative marrë parasysh që shpesh herë mund të ketë edhe nuanca në pjesën e mbetur të fjalisë.

Edhe nëse ka një gabim, pastaj ai bëhet obligim, pavarësisht nëse është, nëse ka qenë qëllimi i tillë apo jo. Prandaj, çdo herë është fjala "mund" që përgjatë rrugës, pra nëse shihet se mund të, le të themi, përshtatet dhe të mos ketë tejkalime buxhetore apo të mos ketë tejkalime të asaj që është paraparë qëllimi fillestar, pra që është kompensimi sipas gjykimit të gjykatës kushtetuese, kjo veçse e krijon bazën ligjore. Pra, është më se e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.

Në anën tjetër, Hoti argumentoi se, kur bëhet fjalë për zbatimin e një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, pagesa nuk duhet të mbetet në diskrecionin e ekzekutivit.

"Besoj që në rastin konkret të fjali- fjalia duhet të jetë: "Duhet" ose "Qeveria ndan mjete për pagesën e tjera tjera". Jo "mund". Sepse tash, duke qenë se është akt gjykimi i gjykatës kushtetuese, nuk është më diskrecion. Unë e kuptoj gjuhën afirmative si shkruhen nenet, por në rastin konkret është obligim për ekzekutivin për zbatimin e këtij akt gjykimi. Pra, ose bëjmë "duhet" ose themi "Qeveria ndan mjete për pagesën e tjera tjera", tha Hoti.

Përfaqësuesja e Zyrës Ligjore të Kuvendit tha se formulimi mund të rishikohet, duke propozuar që fjala “mund” të hiqet dhe dispozita të përcaktojë se Qeveria miraton pagesën e kompensimit retroaktiv.