Sot 31 vite nga zhdukja e Remzi Hoxhës, i biri kërkon drejtësi: Gjeni eshtrat e babait tim
Kanë kaluar 31 vite nga rrëmbimi dhe zhdukja e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, por familja e tij ende nuk ka marrë përgjigjen që kërkon prej dekadash: ku ndodhen eshtrat e tij?
Në përvjetorin e zhdukjes, djali i tij, Ardian Hoxha, ka publikuar një deklaratë në emër të familjes, përmes së cilës kërkon nga institucionet shqiptare të zbardhin përfundimisht fatin e të atit. Ai u bën thirrje qeverisë, kryeministrit Edi Rama, Prokurorisë dhe SPAK-ut të ndërmarrin hapa konkretë për të gjetur trupin e të zhdukurit.
Sipas deklaratës së Ardian Hoxhës, më 21 tetor 1995, Remzi Hoxha u rrëmbye në mes të ditës nga vendi i tij i punës në Tiranë, nga persona që familja i lidh me ish-Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK). Ai pretendon se përgjegjësia për ngjarjen lidhet me strukturat e kohës kur president ishte Sali Berisha, duke e akuzuar këtë të fundit për rolin e tij në çështje.
Ardian Hoxha thekson se, pavarësisht viteve të kaluara dhe vendimeve gjyqësore për çështjen, familja nuk ka arritur të mësojë vendndodhjen e eshtrave. Ai shprehet se kërkesa e tyre nuk lidhet me hakmarrjen apo me përfitime politike, por vetëm me mundësinë që t’i japin të atit një varr.
“31 vjet pa varr të babait tim, Remzi Hoxha”, shkruan ai në nisje të mesazhit, ku rrëfen dhimbjen e familjes dhe kritikon institucionet shqiptare për mungesën e një përgjigjeje përfundimtare.
Në deklaratën e tij, Ardian Hoxha përmend edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se familja i ka dërguar dosje dhe emra, por, sipas tij, nuk është bërë përpjekja e nevojshme për të gjetur eshtrat. Ai argumenton se shteti ka përgjegjësinë të vijojë kërkimet dhe të japë përgjigje për një çështje që mbetet e pazgjidhur për familjen.
“Nuk kërkojmë as dënimin e askujt dhe as hak për gjakun e babait tim. Kërkojmë vetëm eshtrat e tij, që t’ia bëjmë një varr dhe të vazhdojmë jetën tonë. A mos vallë është shumë kjo që kërkojmë?”, shprehet i biri.
Ai u drejtohet posaçërisht qeverisë shqiptare, kryeministrit, Prokurorisë dhe SPAK-ut, duke kërkuar hapjen e arkivave të ish-SHIK-ut, rifillimin e kërkimeve me persona të caktuar dhe një plan konkret me afate. Gjithashtu, u bën thirrje personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen të japin informacion, edhe në mënyrë që të mos ekspozohen publikisht.
“Ju mund të jeni të moshuar sot dhe mund ta keni mbajtur këtë barrë gjithë jetën. Nuk ju kërkojmë emrin. Na tregoni vetëm ku është”, shkruan Ardian Hoxha, duke iu drejtuar atyre që mund të dinë se çfarë ndodhi me të atin.
Në fund të mesazhit, ai thekson se çështja nuk duhet të trajtohet si një përplasje mes të majtës dhe të djathtës, por si një detyrim ndaj një familjeje që prej 31 vitesh pret të mësojë të vërtetën. Ai falënderon qytetarët që e kanë mbështetur familjen gjatë protestave dhe daljeve publike, duke e cilësuar gjetjen e eshtrave si një çështje njerëzore dhe kombëtare.
“Një shtet që 31 vjet nuk ia kthen dot një familjeje eshtrat e babait, nuk mund t’u premtojë fëmijëve të tij asgjë”, përfundon deklarata e Ardian R. Hoxhës, në emër të familjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



