Kryeministri Rama risjell në vëmendje premtimin për 50% të qirasë së studentëve mes protestave

Kryeministri Edi Rama ka risjellë në vëmendje premtimin për mbulimin e 50% të qirasë për studentët, ndërsa protestat në Tiranë vijojnë dhe kostot e larta të jetesës mbeten ndër shqetësimet kryesore të të rinjve.
Gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit bankar të mërkurën, Rama iu referua sërish masave të parashikuara në ligjin e ri për strehimin, në një përpjekje për t’iu përgjigjur kërkesave ekonomike të studentëve që prej ditësh protestojnë në kryeqytet.
“Qeveria do të ndërhyjë për të paguar 50% të qirave për të gjithë studentët që plotësojnë kushtet dhe kriteret e studimit”, deklaroi kryeministri. Rama nuk dha hollësi të tjera mbi afatet e zbatimit apo numrin e studentëve që pritet të përfitojnë nga kjo masë.
Kryeministri përmendi gjithashtu skemat e financimit që parashikojnë kredi me interes 0% për çiftet e reja dhe kredi me interes 3% për profesionistët e rinj, punonjësit e administratës dhe bizneset e vogla.
Sipas tij, ligji i ri për strehimin synon të mbështesë disa mijëra apartamente në vit në Tiranë, ndërsa qeveria planifikon të rrisë edhe buxhetin për punësimin e të rinjve.
“Për ne është e rëndësishme të rrisim buxhetin për punësimin e të rinjve. Të gjithë ata të rinj që duan të punojnë dhe të zhvillohen janë në fokus dhe objekt i këtyre detyrave”, tha Rama.
Ai përmendi edhe bashkëpunimin me bankat për financimin e sipërmarrjeve, përfshirë programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”.
Deklaratat vijnë në një moment kur protestat studentore janë shoqëruar me përplasje dhe dëmtime të pronës publike e private, ndërsa qeveria është përballur me kërkesa për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe arsimit.
Gjatë takimit, Rama dënoi incidentet e dhunshme, duke deklaruar se ato kishin krijuar përshtypjen e një përshkallëzimi të mundshëm në të gjithë Shqipërinë.
“Kjo dhunë mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi që mund të merrte me flakë dhe gurë gjithë Shqipërinë”, u shpreh ai.
Kryeministri pretendoi se dhuna ishte e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë lëvizjen radikale ANTIFA, si dhe me forca të huaja që, sipas tij, synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe Europës.
Ai bëri dallimin mes studentëve që protestojnë për ndryshime dhe personave që i konsideron përgjegjës për incidentet e dhunshme, ndërsa kritikoi edhe një pjesë të pedagogëve për mbështetjen e këtyre veprimeve.
Rama iu referua gjithashtu dëmtimit të godinës së Bankës së Shqipërisë, duke deklaruar se institucioni ishte goditur me gurë dhe duke e krahasuar ngjarjen me vitin 1997.
“Banka e Shqipërisë nuk është sulmuar as në vitin 1997, ndërsa sot është goditur me gurë”, tha ai.
Po kështu kryeministri deklaroi se qeveria do të vijojë trajtimin e kërkesave të protestuesve paqësorë, duke përjashtuar nga dialogu aktet e dhunës.
“Ka shumë detyra për të adresuar problematikat e atyre që janë në protestë paqësisht, por jo dhunën dhe jo gurin”, deklaroi Rama.
“Ne do t’i adresojmë problemet një nga një”, shtoi ai, duke iu referuar masave për strehimin, punësimin dhe mbështetjen financiare të të rinjve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









