Dy persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohet se janë përfshirë në vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e administratorit të njësisë administrative Shushicë.
Në pranga kanë rënë shtetasit Sh. M., 41 vjeç dhe E. S., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se dy të arrestuarit, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur lëndë plasëse në automjetin në pronësi të 29-vjeçarit I. B., banues në Shushicë, i cili ushtron detyrën e administratorit të kësaj njësie administrative.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:50 të datës 19 tetor 2026, në fshatin Llakatund të Vlorës. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale në automjet, por nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.













