Një aparat celular në gjendje të ndezur dhe një karikues janë sekuestruar gjatë një kontrolli të befasishëm të ushtruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Shkodër.
Operacioni u zhvillua nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP) në bashkëpunim me Sektorin e Policisë së IEVP Shkodër, mbi bazën e informacioneve të siguruara më parë në rrugë operative.
Sipas njoftimit zyrtar të AMSEVP-së, sendet e ndaluara iu gjetën të paraburgosurit me iniciale A. F.:
“Nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë së IEVP Shkodër, në bazë të informacioneve të përftuara në rrugë operative, është ushtruar kontroll për sende të ndaluara në IEVP Shkodër, ku është konstatuar 1 (një) aparat celular në gjendje të ndezur, si dhe 1 (një) karikues, të cilat i përkasin të paraburgosurit shtetasit A. F.. Materialet procedurale do dërgohen për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.”
Ndaj të paraburgosurit A. F. do të rëndojë tashmë edhe akuza për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”, e parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal.










