Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk janë studentë” –Përsërit Rama: Njerëz me kapuç të maskuar përballen me Policinë e Shtetit që bën punën e vet



Kryeministri Edi Rama në një deklaratë të mbajtur ditën e sotme foli për zhvillimet e fundit të protestave në vend.

Rama nuk u ndal te denoncimet për dhunë policore, por në këtë deklaratë ka sulmuar sërish protestuesit, të rinjtë dhe studentët që protestojnë tashmë kundër të gjithë klasës politike dhe keqqeverisjes gjatë këtyre viteve, sipas tyre.

Sipas Ramës, dhuna policore, tërheqja zvarrë e të rinjve dhe përdorimi i gazit lotsjellës nuk ishin në fokus të deklaratës, ndërsa akuza u drejtuan edhe ndaj pedagogëve që kanë dalë në mbështetje të studentëve.

“Këta elementë të bashkuar në një front të vetëm nuk janë studentët, nuk janë pjesa e shoqërisë që ka arsyet e veta legjitime për të shprehur pakënaqësi. Ajo pjesë nuk është as nxitëse dhe as mbështetëse e dhunës.

Fatkeqësisht ka njerëz, gjithmonë e më pak për hir të së vërtetës, por ka edhe njerëz si rasti i pedagogëve, një pjesë shumë e vogël që së bashku me të tjerë i bëjnë jehonë dhe nuk bëjnë asgjë për t’u distancuar nga dhuna. Dhe merr jehonë nëpër ekrane dhe sulmohet në bllok shteti përmes sulmeve me policinë.

Çfarë po ndodh nuk ka asnjë lidhje me fantazma të së kaluarës, nuk ka asnjë lidhje me ’97. Sot jetojmë në një botë paralele njerëzish që duan të na imponojnë me gurë, me zjarr, kërcënime, trysni të gjithanshme atë botën e tyre që është kthyer si në një skenë të një filmi horror, që shfaqen njerëz me kapuç të maskuar dhe përballen me policinë e shtetit e cila bën punën e vet.

Patjetër që jashtë kësaj ka edhe njerëz që përballen me halle, por të gjitha këto duhet të vlejnë si panoramë për të pasur durim dhe qetësi në të gjitha institucionet”, tha Rama.