Britania miraton shpimet për gaz në Detin e Veriut, pavarësisht shqetësimeve mjedisore

Grupi Shell, një nga bashkëzhvilluesit e projektit, parashikon se fusha mund të sigurojë rreth 6.5% të prodhimit të gazit të Britanisë së Madhe në periudhën e saj të prodhimit maksimal.
Qeveria britanike njoftoi planet për të nisur shpimet për gaz në një zonë të diskutueshme në Detin e Veriut.
Vendimi u mirëprit nga grupet e sektorit energjetik, por u kritikua nga ambientalistët, të cilët paralajmëruan për rritje të emetimeve të karbonit. Fusha Jackdaw ndodhet 240 kilometra në lindje të Aberdeenit, në Skoci.
Megjithatë, qeveria argumentoi se projekti mund të forcojë sigurinë energjetike të Britanisë së Madhe, në një kohë kur lufta në Iran po nxit rritjen e çmimeve të energjisë.
“Në një kohë kur njerëzit po përballen me vështirësi të mëdha, është e drejtë që të shqyrtojmë në mënyrë të përgjegjshme mundësinë për të shfrytëzuar sa më shumë rezervat ekzistuese të energjisë që kemi në Britani dhe që mund të na ndihmojnë”, deklaroi kryeministri laburist Andy Burnham.
“Ne jemi të angazhuar për të kaluar drejt energjisë së rinovueshme dhe për të arritur emetime neto zero deri në vitin 2050. Por, edhe në kuadër të objektivave tona ambicioze klimatike, do të vazhdojmë të kemi nevojë për naftë dhe gaz si pjesë e nevojave tona energjetike për dekadat e ardhshme.”
Kritikët argumentojnë gjithashtu se kjo lëvizje do të ndikojë shumë pak në uljen e faturave të energjisë elektrike për familjet britanike, pasi çmimet e naftës dhe gazit përcaktohen nga tregjet globale.
Një gjykatë skoceze vendosi vitin e kaluar se miratimet e mëparshme për Jackdaw dhe Rosebank, një tjetër projekt nafte dhe gazi në Detin e Veriut, ishin të paligjshme, pasi nuk kishin marrë parasysh emetimet indirekte të karbonit që shkaktojnë këto projekte.
Qeveria ende nuk ka vendosur nëse do ta miratojë projektin Rosebank, i cili besohet se përmban rezervat më të mëdha të pashfrytëzuara të naftës në Britaninë e Madhe.
Zack Polanski, drejtuesi i Partisë së Gjelbër të majtë, e cilësoi vendimin si “vandalizëm klimatik”, ndërsa Greenpeace deklaroi se miratimi tregonte “ndikimin toksik që lobistët e karburanteve fosile vazhdojnë të ushtrojnë mbi politikën tonë energjetike”.
“Pragmatizëm i vërtetë do të thotë të shkëputemi nga varësia ndaj naftës dhe gazit të shtrenjtë, që i lë familjet britanike pa para, përkeqëson fenomenet ekstreme të motit dhe e vendos sigurinë tonë energjetike në mëshirën e shteteve prodhuese të naftës”, deklaroi Ami McCarthy, drejtuese e politikave në Greenpeace UK. / Euronews, Guardian
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









