Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës pret fluks të shtuar të udhëtarëve në prag të festave të fundvitit, kur shumë bashkatdhetarë që jetojnë jashtë Kosovës kthehen në vend për të kaluar kohë me familjet e tyre.

Menaxherja për Marrëdhënie me Publikun në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara, ka thënë në një intervistë për Telegrafin se pas një rënje të numrit të udhëtarëve gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, nga muaji korrik është shënuar rritje e fluksit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.


“Ne në tremujorin e dytë të këtij viti kemi pasur një rënie të numrit të udhëtarëve për shkak të krizës ekonomike në Evropë dhe pothuajse në botë, ndërkaq që tani, nga muaji korrik e tutje, kemi pasur një rritje të numrit të udhëtarëve krahasuar me periudhën e vitit të kaluar”, ka thënë Gara për Telegrafin.


Ajo ka bërë të ditur se deri në fund të muajit shtator, mbi tre milionë udhëtarë kanë frekuentuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Duke folur për dallimet ndërmjet sezonit veror dhe atij dimëror, Gara ka theksuar se vitet e fundit ky dallim është zvogëluar ndjeshëm, shkruan Telegrafi.

“Para disa viteve kemi pasur një dallim mjaft të madh në krahasim me periudhën mes sezonit dimëror dhe sezonit veror. Ndërkaq, dy-tri vitet e fundit nuk kemi ndonjë dallim, edhe pse normalisht ka një fluks pak më të madh”, ka deklaruar ajo.

Sa i përket udhëtarëve që vijnë nga Zvicra, Gara ka thënë se ky shtet përbën një pjesë të rëndësishme të tregut të udhëtimeve në Kosovë.

“Zvicra përbën diku rreth 40 për qind të tregut kosovar, apo rreth 40 për qind të numrit total të fluturimeve dhe numrit total të udhëtarëve”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Me afrimin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, aeroporti pret rritje të numrit të udhëtarëve, veçanërisht nga diaspora kosovare që jeton në shtetet evropiane.

“Tani, pasi që hyjmë në sezonin e dimrit, janë festat e fundvitit, siç janë Krishtlindjet dhe Viti i Ri. Kështu që një fluks më të madh të udhëtarëve e presim diku pas datës 15 dhjetor, për shkak të festave, duke pasur parasysh që numrin më të madh të udhëtarëve tanë e përbëjnë bashkatdhetarët tanë, të cilët jetojnë qoftë në Zvicër apo edhe në shtetet tjera”, ka theksuar Gara.

Ajo ka bërë të ditur se Bazeli dhe Cyrihu vazhdojnë të jenë ndër destinacionet më të frekuentuara në Zvicër, krahas Gjenevës dhe destinacioneve të tjera.

“Destinacionet më të frekuentuara me shtetin zviceran mbesin akoma Bazeli dhe Cyrihu, dhe destinacionet tjera si Gjeneva e kështu me radhë”, ka thënë Gara.

Përveç fluksit të shtuar, ajo u ka bërë thirrje udhëtarëve që të përdorin shërbimet online të aeroportit, në mënyrë që të shmangin pritjet e gjata në sportele.

“Siç e dini, ne vetëm se e kemi vënë në funksion shërbimin online, prandaj si në shkuarje, po ashtu edhe në ardhje. Prandaj, lusim të gjithë bashkatdhetarët tanë që t'i përdorin këto shërbime sa më shumë, shërbimin check-in online, po ashtu edhe shërbimin self-check-in apo self-bag-drop”, ka thënë ajo për Telegrafin.

Sipas Garës, përdorimi i këtyre shërbimeve u mundëson udhëtarëve të shmangin radhët e gjata në sportelet ku nevojitet personeli i aeroportit.

Malli për vendlindjen i kthen bashkatdhetarët në Kosovë

Përtej shifrave dhe fluksit të udhëtarëve në aeroport, kthimi në Kosovë për shumë bashkatdhetarë lidhet me mallin për vendlindjen, familjen dhe jetën që kanë lënë pas.

Njëri nga qytetarët e intervistuar nga Telegrafi, i cili është kthyer nga diaspora dhe tash e një vit jeton në Kosovë, ka treguar se për 35 vjet ka jetuar jashtë vendit.

“Kam jetuar atje 35 vjet, tash jam kthyer qe një vit, po jetoj këtu. Më ka ndodhur një rast, më kanë kthyer për pesë vjet, normal na ka munguar.”, ka thënë ai për Telegrafin, duke folur për jetën pas kthimit në atdhe.

Ndërkaq, një bashkatdhetar tjetër, i cili jeton në Gjermani, ka rrëfyer për Telegrafin se malli për Kosovën e shoqëron vazhdimisht dhe se gjatë vizitave në vendlindje ndien mungesën e gjithçkaje që e lidh me të.

“Më mungon shoqëria, më mungon rrethi, më mungon çdo gjë. Jam i përmallum edhe për pemë e për gurë. Vijmë tri-katër herë në Kosovë”, ka thënë ai./Telegrafi/