basketbolli
Një hetim për dyshime mbi manipulimin e ndeshjeve ka përfshirë drejtuesit më të lartë të basketbollit grek. Presidenti i Federatës Greke të Basketbollit, Vangelis Liolios, është arrestuar së bashku me pesë persona të tjerë, mes të cilëve dy drejtues të federatës dhe tre gjyqtarë.
Sipas mediave greke, arrestimet u kryen të mërkurën nga autoritetet e Drejtorisë së Krimit të Organizuar, në kuadër të një hetimi për shkelje të dyshuara të rregullave sportive, ryshfet dhe manipulim të rezultateve të ndeshjeve. Të arrestuarit dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në aktivitetet që po hetohen.
Në fokus të hetimit janë rreth 50 ndeshje të zhvilluara në kategori të ndryshme të basketbollit grek. Lista përfshin gara të të rinjve, kampionate shkollore dhe ndeshje të Ligës Greke. Sipas raportimeve, dyshimet shtrihen në një periudhë që nis në vitin 2016 dhe përfshin edhe ndeshje të zhvilluara gjatë këtij viti. Po ashtu, po shqyrtohet mundësia që një prej ndeshjeve të dyshuara të jetë luajtur jashtë Greqisë.
Një prej elementeve që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është zbulimi i 820 mijë eurove në para të gatshme në banesën e një gjyqtari, në një zonë rurale. Mediat raportojnë se shuma të tjera të konsiderueshme janë gjetur edhe te persona të tjerë të përfshirë në hetim, ndërsa origjina e tyre po shqyrtohet nga autoritetet.
Dosja hetimore përmban gjithashtu ankesa dhe deklarime të tetë dëshmitarëve. Dy prej tyre konsiderohen veçanërisht të rëndësishëm për shkak të informacioneve që kanë dhënë lidhur me manipulimet e dyshuara. Sipas raportimeve, edhe këta dëshmitarë mund të kenë qenë të përfshirë më herët në veprimtari korruptive, ndërsa bashkëpunimi i tyre me hetuesit mund të merret në konsideratë gjatë procedurave ligjore.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej të arrestuarve dhe për të zbardhur përmasat e dyshuara të manipulimit të ndeshjeve në basketbollin grek.


