
32-vjeëarja turke Julide Yazici do ekstradohet drejt Turqisë. Ajo kërkohet nga Ankaraja pasi akuzohet për lidhje me një organizatë terroriste. Dy muaj më parë, Apeli la në fuqi “arrestin në shtëpi” ndaj mësueses së Filozofisë, Yazici, e cila ka përfituar azil politik në Francë por u ndalua në aeroportin e Rinasit më 4 gusht me kërkesë të Interpolit.
Ajo ishte shpallur në kërkim për përfshirjen e dyshuar në protesta në mbështetje të të drejtave të kurdëve, të zhvilluara disa vite më parë në Turqi. Sipas dosjes së autoriteteve turke, gjatë kontrolleve në një banesë në Stamboll janë gjetur prova që lidhen me hetimin. Për këtë çështje, Yazici është dënuar në mungesë me 4 vite burgim.
Në seancat gjyqësore në Shqipëri, Yazici ka deklaruar se është e persekutuar politikisht për shkak të qëndrimit të saj kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan. Ajo ka pretenduar se, nëse ekstradohet drejt Turqisë, i rrezikohet jeta. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe avokatët e saj.
Më 28 janar 2016, policia kreu bastisje në banesa në tetë rrethe të Stambollit dhe ndaloi gjashtë studentë universitarë. Dy prej tyre u liruan, ndërsa katër u dërguan në gjykatë. Në atë kohë, Yazıcı studionte filozofi në Universitetin Boğaziçi dhe nuk ndodhej në shtëpi gjatë bastisjes. Të nesërmen, ajo shkoi në gjykatë së bashku me avokatin e saj për të dhënë një deklaratë, por u arrestua aty. Për shkak të një urdhri për ruajtjen e konfidencialitetit të hetimit, as ajo dhe as avokati i saj nuk mundën të shihnin provat për veprat penale për të cilat akuzohej. Yazıcı u lirua gjashtë muaj më vonë, në korrik 2016.
Gjatë procesit gjyqësor, ajo u largua drejt Francës dhe aplikoi për azil. Gjatë gjykimit, prokurori hoqi dorë nga akuza për anëtarësim në një organizatë terroriste dhe, në vend të saj, e akuzoi për “ndihmë të vetëdijshme dhe të vullnetshme ndaj një organizate terroriste”. Avokatët mbrojtës argumentuan se nuk kishte prova për asnjërën prej akuzave, por në nëntor 2017, Gjykata e 14-të e Rëndë Penale e Stambollit e dënoi Yazıcı-n dhe dy studentë të tjerë me katër vjet e dy muaj burg. Dy të pandehur të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Mbështetësit e Yazıcı-t dhe Gjykata Kombëtare Franceze e Azilit paraqesin një histori të ndryshme. Ajo mori pjesë në protestat e Parkut Gezi në vitin 2013 dhe mbështeti HDP-në, një parti e majtë pro-kurde, e cila më vonë u shndërrua në Partinë DEM.
Sipas dokumenteve të gjykatës franceze të azilit, të siguruara nga BIRN, Yazıcı u arrestua “pasi kishte lejuar një të re që nuk e njihte, e cila i ishte prezantuar nga një mikeshë, të qëndronte në dhomën e saj të studentores”.
Gjykata Kombëtare Franceze e Azilit (CNDA) e njohu Yazıcı-n si refugjate më 16 nëntor 2020. Statusi i saj u bë zyrtar në shtator 2021.