Paketa fiskale 2027, ProEksport Albania kërkon rritje të pragut të patatueshëm të pagave për fasonët

Shoqata ProEksport Albania kërkon ndryshime në Paketën Fiskale 2027, me synim rritjen e pagave neto, lehtësimin e aksesit në financim dhe ruajtjen e konkurrueshmërisë së industrisë prodhuese dhe eksportuese fason.
Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Komisionit Parlamentar për Ekonominë, shoqata propozon dy masa kryesore.
ProEksport Albania kërkon që pragu i patatueshëm i pagës të rritet në 60,000 lekë në muaj për të gjithë punëmarrësit, duke aplikuar tatimin mbi të ardhurat personale (TAP) vetëm mbi pjesën e pagës që tejkalon këtë shumë. Propozimi parashikon hyrjen në fuqi të masës më 1 janar 2027.
Sipas shoqatës, kjo masë do të ndihmonte në rritjen e pagës neto, forcimin e fuqisë blerëse, ruajtjen e punësimit formal dhe mbështetjen e konkurrueshmërisë së industrisë prodhuese.
Kërkesa e dytë lidhet me përfshirjen në Paketën Fiskale 2027 të politikave konkrete mbështetëse përmes granteve për investime produktive, lehtësive tatimore dhe instrumenteve financiare që nxisin modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit.
Në mënyrë të veçantë, shoqata kërkon rishikimin e programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, duke propozuar thjeshtimin e procedurave bankare dhe rishikimin e kritereve të aplikimit, të cilat, sipas saj, vazhdojnë të pengojnë aksesin në financim për shumë ndërmarrje.
Përmes këtyre propozimeve, ProEksport Albania synon të nxisë politika fiskale që mbështesin punësimin, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit fason në Shqipëri. Kërkesat përfaqësojnë propozimet e shoqatës për Paketën Fiskale 2027 dhe jo masa të miratuara tashmë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









