
Rreth 10 mijë nxënës, mësues dhe studentë universitarë marshuan paqësisht të mërkurën në qendër të Athinës, drejt Parlamentit, duke kërkuar më shumë fonde për arsimin publik, kushte më të mira në shkolla dhe rritje të pagave për mësuesit.
Protesta u zhvillua nën masa të rrepta sigurie nga policia, për shkak të frikës nga trazirat pas akteve të shumta të dhunës në protesta të ngjashme në Francë. Rreth 3 mijë efektivë u angazhuan në terren. Megjithatë, nuk u raportuan incidente. Gjithsej 21 persona u shoqëruan për t’u marrë në pyetje, por deri në atë moment nuk ishte raportuar asnjë arrestim.
Dy stacione qendrore të metrosë u mbyllën përkohësisht për publikun, si masë parandaluese.
Ndër kërkesat e protestuesve ishin plotësimi i vendeve vakante për personelin shkollor, mirëmbajtja më e mirë e ndërtesave të shkollave dhe më shumë liri për studentët universitarë për t’u transferuar nga një institucion në tjetrin. Studentët shprehën gjithashtu zemërimin për kostot e larta të strehimit. Të martën vonë, dhjetëra tenda u ngritën në sheshin qendror Sintagma, pranë Parlamentit, për të tërhequr vëmendjen ndaj këtij problemi.
Protestuesit mbanin pankarta dhe brohorisnin slogane që e lidhnin marshimin e tyre me demonstratat në Francë. Në njërën prej pankartave shkruhej: “Nga Greqia në Francë, luftojmë për arsim publik dhe falas”.
Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në Selanik dhe në qytete të tjera të Greqisë, pa u raportuar akte dhune, shkruan Ekathimerini.
Mësuesit e shkollave fillore zhvilluan të mërkurën një grevë 24-orëshe, ndërsa federata e mësuesve të shkollave të mesme shpalli një ndërprerje treorëshe të punës për të mundësuar pjesëmarrjen në demonstratë. Edhe konfederata e sindikatave të nëpunësve civilë ADEDY bëri thirrje për një ndërprerje treorëshe të punës, ndërsa mjekët e spitaleve zhvilluan një grevë në shkallë kombëtare. Rreth 500 pensionistë mbajtën një protestë të veçantë në sheshin Kotzia, përpara Bashkisë së Athinës.
Demonstratat u zhvilluan në një kohë kur Evropa po përfshihet nga një valë më e gjerë protestash për shkak të kostos së jetesës, krizës së strehimit dhe asaj energjetike. Protesta të tilla janë zhvilluar në vende si Franca, Italia, Spanja, Portugalia dhe Shqipëria.
Gjatë fundjavës, policia arrestoi tre shtetas francezë pas një përplasjeje me forcat e rendit në qendër të Athinës, pas një proteste të vogël të organizuar nga anarkistët, të cilët shprehën solidaritet me demonstruesit në Francë.