Shporta konsumatore e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës për muajin gusht 2026 arriti në 58.475 denarë, ndërsa ajo minimale sindikale ishte 68.675 denarë, duke shënuar një dallim prej rreth 10.200 denarësh.

Ministri Besar Durmishi vlerëson se dy shportat bazohen në metodologji të ndryshme, ndërsa përllogaritjen sindikale e konsideron më shumë politike sesa reale.


“Ne edhe ata persona të cilët e kanë formuluar dhe përpiluar të dhënat e shportës konusmatore kanë thënë vetë se ajo nuk është shportë minimale por është një shportë e dëshiruar kështu që sindikalistët e bëjnë një fushatë më shumë politike se sa reale. Mund të them se kemi shportën tonë që në këshillin ekonomik dhe social në javën që vjen do të prezantohet para anaëtarëve të këshillit ekonomik. Dhe për çdo muaj do të bëjmë publike të dhënat për shportën mesatare”, tha Durmishi për TV Koha.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria, një familjeje katëranëtarëshe i nevojiteshin 58.475 denarë për shpenzimet mujore në gusht, prej të cilave 21.132 denarë për ushqim dhe pije. Krahasuar me korrikun, shporta e Ministrisë ishte rritur për vetëm 29 denarë, ndërsa në raport me janarin e vitit 2026 kishte shënuar rritje prej 2.095 denarësh, ose 3,7 për qind.

Ministria thotë se përllogaritja e saj bazohet në të dhëna nga institucionet përkatëse, përfshirë Entin Shtetëror të Statistikave, çmimet e produkteve në tetë qytete, të dhënat nga 23 tregje të pemëve dhe perimeve, si dhe çmimet e produkteve ushqimore më të shitura në zinxhirët e mëdhenj tregtarë. Sipas Durmishit, metodologjia synon të pasqyrojë konsumin mesatar real të amvisërive.

Në anën tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) njoftoi se shporta minimale sindikale për gushtin arriti në 68.675 denarë, ndërsa në shtator u rrit në 69.432 denarë, ose 757 denarë më shumë brenda një muaji.

Sipas sindikatës, vetëm për ushqim dhe pije një familjeje i nevojiteshin 25.259 denarë në shtator. LSM-ja thekson se shporta e saj pasqyron shpenzimet minimale të nevojshme për plotësimin e nevojave bazë të një familjeje katëranëtarëshe. Nëse familja jeton në një banesë me qira prej 60 metrash katrorë, shpenzimet mujore të llogaritura nga sindikata arrijnë në 84.807 denarë.