Autoritetet spanjolle kanë sekuestruar rreth 2.1 tonë kokainë në një varkë me vela, rreth 400 milje larg brigjeve të Galicisë. Operacioni i koduar “Maiden” çoi në arrestimin e katër personave që ndodheshin në bord, mes tyre edhe një shtetas shqiptar, i dyshuar për një rol ndërmjetësues mes trafikantëve të drogës dhe organizatave kriminale në Evropën Lindore dhe Ballkan.
Aksioni u zhvillua nga Shërbimi Spanjoll i Mbikëqyrjes Doganore, përmes anijes “Petrel I”. Më 14 shtator, autoritetet lokalizuan dhe kontrolluan varkën, ku zbuluan 70 pako me një sasi totale prej rreth 2,100 kilogramësh kokainë.
Në bord u arrestuan katër persona: një shtetas argjentinas, një uruguaian, një kolumbian dhe një shqiptar. Sipas hetuesve, shqiptari dyshohet se shërbente si një lloj “noteri” i trafikantëve, duke u garantuar organizatave kriminale të Evropës Lindore se transporti i drogës po kryhej sipas marrëveshjes dhe planit të përcaktuar.
Hetimi kishte nisur në shkurt, pasi autoritetet morën informacione se një varkë me vela mund të përdorej për transport droge në zonën kufitare mes Spanjës dhe Francës. Mjeti lundrues u identifikua në portin e Roses, në provincën e Gironas, ku më pas u vendos nën vëzhgim.
Dyshimet e hetuesve u shtuan në korrik, kur varka u largua nga porti pa sistemin automatik të identifikimit dhe gjurmimit AIS të aktivizuar. Pasi humbën gjurmët e saj, autoritetet spanjolle bashkëpunuan me Agjencinë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar dhe agjencinë amerikane kundër drogës DEA, duke arritur ta lokalizonin në ujërat e Atlantikut.
Hetimet çuan gjithashtu në arrestimin e një shtetasi kilian në provincën e Gironas, i dyshuar për sigurimin e mjeteve lundruese për organizatat kriminale. Ndërkohë, autoritetet janë në kërkim të një shtetasi spanjoll nga Barcelona, i dyshuar për ruajtjen e varkave dhe monitorimin e lëvizjeve të forcave të rendit.
Sipas hetuesve, rrjeti ishte i specializuar në transportimin e lëndëve narkotike përmes varkave me vela dhe ofronte shërbimet e tij për organizata të ndryshme kriminale që veprojnë në Evropën Lindore dhe në Ballkan.


