Kryeministri Edi Rama ka pritur në ambientet e Kryeministrisë një 27-vjeçar me aftësi të kufizuara, i cili i kishte shkruar në rrjetet sociale për t’i shprehur dëshirën që ta takonte personalisht.
Rama ka publikuar në Facebook një video nga takimi, së bashku me mesazhin që i riu i kishte dërguar, ku shpjegonte se nuk kishte ndonjë kërkesë të veçantë, por dëshironte vetëm të takonte nga afër kryeministrin e vendit të tij dhe, nëse ishte e mundur, të bënin një fotografi së bashku.
Në mesazhin drejtuar kreut të qeverisë, 27-vjeçari, i cili përdor karrocë me rrota, shkruante se një takim i shkurtër do të kishte shumë domethënie për të dhe do të mbetej një kujtim i veçantë për gjithë jetën.
“Përshëndetje, zoti Kryeministër Edi Rama! Jam një djalë 27-vjeçar nga Shqipëria, person me aftësi të kufizuara, dhe përdor karrocë me rrota. Kam një dëshirë shumë të madhe nga zemra, që një ditë të kem mundësinë t’ju takoj personalisht. Nuk ju shkruaj për ndonjë interes apo për të kërkuar diçka, por sepse do të ishte një kënaqësi e madhe për mua të takoja kryeministrin e vendit tim”, thuhej në mesazh.
Më tej, i riu theksonte se nuk kërkonte asgjë më shumë sesa disa minuta nga koha e kryeministrit për ta përshëndetur nga afër dhe për të realizuar një fotografi si kujtim.
“E di që keni shumë angazhime, por shpresoj të gjeni mundësinë për të më kushtuar disa minuta nga koha juaj. Nuk kërkoj asgjë më shumë”, përfundonte ai.
Krahas videos së publikuar, Rama e përshkroi të riun me një shprehje që tërhoqi vëmendjen: “Një vizitor i veçantë pa gurë në xhep, po me zemrën në vendin e duhur”.


