Nga Abissnet Superiore, te Ligji i Sponsorizimit dhe legjionarët. Gjithçka që u diskutua “Në Shtëpinë e Futbollit”

21 Tetor 2026
18:35
Telesport
back button

Emisioni i radhës i “Në Shtëpinë e Futbollit” në FSHF TV solli në vëmendje zhvillimet më të fundit në futbollin shqiptar, me fokus te protesta e studentëve dhe ndikimi i saj në aktivitetet sportive, mungesa e Ligjit të Sponsorizimit, si dhe rezultatet e javës së shtatë të kampionatit “Abissnet Superiore”.

Nën drejtimin e moderatores Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin ish-futbollisti dhe analisti i futbollit, Ledio Pano, gazetari sportiv Gerti Çarçani dhe specialisti i futbollit, Florian Riza.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte protesta e studentëve në Shqipëri dhe ndikimi i saj në botën e futbollit. Në emision u trajtua mbështetja e futbollistëve të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe e lojtarëve të Kombëtares shqiptare për kauzën e studentëve, si dhe qëndrimi i grupimeve ultras jashtë stadiumeve, në shenjë solidariteti me protestën.

Vëmendje iu kushtua edhe ndikimit të kësaj situate në organizimin e aktiviteteve sportive, përfshirë zhvendosjen e ndeshjes historike të Egnatias në UEFA Conference League ndaj Midtjylland.

Në vijim, diskutimi u përqendrua te mungesa e Ligjit të Sponsorizimit, një çështje që prej vitesh mbetet e pazgjidhur për sportin shqiptar.

Ndërsa studentët protestojnë për të drejtat e tyre, edhe komuniteti i futbollit vijon të kërkojë miratimin e një ligji që do të nxiste investimet private dhe do të krijonte më shumë mundësi për zhvillimin e sportit. U diskutuan premtimet e përsëritura ndër vite për këtë nismë dhe pasojat që mungesa e saj ka sjellë për futbollin shqiptar.

Një pjesë e emisionit iu kushtua paraqitjeve të futbollistëve shqiptarë që aktivizohen jashtë vendit. Disa prej legjionarëve, si Stavro Pilo, Mirlind Daku, Taulant Seferi, Qazim Laçi, Rey Manaj dhe Myrto Uzuni, gjetën rrugën e rrjetës me skuadrat e tyre, ndërsa Ernest Muçi, dhe Cristian Shpendi spikatën me asistet e dhëna.

Në fokus ishte edhe java e shtatë e kampionatit “Abissnet Superiore”, me analizën e rezultateve dhe ecurisë së skuadrave. Teuta dhe Egnatia vijojnë me rezultate pozitive dhe mbeten në garën për kreun, ndërsa fitore regjistruan edhe Tirana, Vora dhe Skënderbeu. Në anën tjetër, u diskutua situata e Partizanit, që po kalon një moment të vështirë, pasi ndodhet i fundit në renditje.

Në përfundim, emisioni solli në vëmendje edhe pjesëmarrjen e Federatës së Futbollit në Unity EURO Cup 2026, një aktivitet i organizuar nga UEFA në bashkëpunim me UNHCR, që promovon gjithëpërfshirjen, integrimin dhe fuqinë e futbollit për të bashkuar njerëzit përmes sportit.

“Në Shtëpinë e Futbollit” sjell çdo javë në FSHF TV zhvillimet kryesore të futbollit shqiptar, me fokus te Kombëtarja, ekipet kombëtare të moshave, kampionatet kombëtare, paraqitjet e legjionarëve dhe aktivitetet e projektet e FSHF-së.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit